“Marr guximin… t’iu flas për tranzicionin”

Një personazh, i gjithi i zhytur në tranzicion e që flet për të. Kështu është prezantuar këtë pasdite në emisionin “Pasdite në Top Channel”, aktori i mirënjohur Mehdi Malkaj. Ai ka qenë i ftuari i radhës i moderatores Jonida Shehu, për të folur për shfaqjen “Marr guximin…”.

Pikërisht për të folur për tranzicionin ka marrë guximin Malkaj, një event i ngjitur në skenë së bashku me autorin Vangjel Kozma, i cili në fakt e quan veprën “tranzicioni ynë demokratiko-komunisto-mafioz”.

“Për mua në fakt ka dy nënkuptime. Marr guximin edhe si aktor për të bërë një monodramë, një gjini shumë e vështirë, pasi mes të tjerave kërkon edhe eksperiencë, përvojë dhe kurajo për ta bërë, por edhe guximin për t’i thënë gjërat hapur, ashtu siç janë”, tha aktori Mehdi Malkaj.

Në monodramën në fjalë, Malkaj nuk është vetëm aktor por gjithçka, sepse ka mbi shpatulla edhe regjinë, pjesën më të madhe të skenarit, por “kam edhe autorin në kurriz, i cili më falënderoi me shumë dashuri, që i dhashë veprës së tij zë dhe figurë”.

Një vepër që duket se është shkruar enkas për Mehdiun, apo e shkruar nga vetë ai, e jo prej Vangjelit. “Ka dalë rastësisht, e takova mikun tim një ditë dhe i kërkova të rrëmonte se mos kishte ndonjë vepër në ato sirtarët e tij, dhe ai u përgjigj pozitivisht. Ia kërkova ta lexoja dhe më goditi menjëherë, sepse për ne artistët përshtypjet e para janë shumë të rëndësishme. I sugjerova disa rregullime të vogla dhe ai iku për të ardhur sërish pas një jave”, rrëfen Malkaj.

Kjo ishte pikënisja, për të vazhduar më pas me punën individuale në kërkim të një regjisori, të cilin nuk mundi ta gjente për shkak të vlerës monetare të kërkuar prej tyre, pak si shumë e kripur. “Unë në fakt kisha vetëm astarët e mi dhe të Vangjos e asgjë më shumë. Por, me një dashuri të madhe, pa të cilin nuk bëhet art, dhe me një guxim në kuptimin e plotë të fjalës arrita ta vë në skenë”.

Në monodramë, autori thotë disa gjëra me të cilat të bën të rrënqethen mishtë, por që ato janë dhe duhen thënë. E duke qenë se Mehdiu ka marrë guximin t’i thotë këto gjëra në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, nuk mund të mos e merrte edhe në studion e Pasdites.

“Ndërsa unë rri këtu, edhe llap se çfarë jam, llamba vazhdon të jetë e fikur dhe, që ajo të ndizet, duhet të dish më shumë për mbarëvajtjen e punëve. Në këtë fushë gjithcka fillon nga dera… Po, mor, po. Duroni, se në fund jo vetëm që do të më jepni të drejtë, por edhe do të më thoni që qenkam një derr studiuesi i mbarëvajtjes së punëve, që duhet respektuar. Pra, si pa dashje, hyra në temë sepse fjala derr, si pa u ndierë, ka kaluar nga pozicioni cilësor i pasëm, në atë të përcaktuesit të përparmë. Besoj se e mbani mend të gjithë kur na thoshin apo ju thoshin kokë derr, turi derr, hundë derr… Eh, por ajo kohë ka ikur, derri tashmë ka dalë në krye dhe tani themi derr koke, derr posti, derr shteti, derr presidenti, derr ministri, derr kryeministri apo edhe derr femre. Mirëpo ky kapërcim i hatashëm nuk ishte i lehtë dhe nuk ndodhi menjëherë, por vetë shoqëria në mënyrë graduale e ndjeu nevojën e daljes së derrave në krye të saj, prandaj e mbushin administratën dhe elitën e vetë me derra… Sepse nuk mund të jesh derr koke, pa qenë më përpara kokë derr”…

Diçka kaq e vërtetë, saqë edhe publikut në studio, por edhe teleshikuesve mund t’iu jetë dukur sikur po flet për realitetin e tyre.

“Ashtu sikur derr kafsha që përfaqësojnë personat në fjalë, kanë një oreks të madh të të përlarit të gjërave. Nuk dinë t’i bëjnë naze asgjëje, të jetë çfarë të jetë: parà, prona, pasuri, plehëra… Fjalët që thonë nuk u kuptohen, sepse i kanë si hungërima kafshësh, ndërsa hundazi, organi i futjes në punët e të tjerëve, arrin ato… të feçkës së derrit. Një tipar dallues i të dekoruarve me titullin e lartë të derrit, është vetëkënaqësia. Por jo ajo që ka shkruar Migjeni, apo ka menduar Sokrati. Vetëkënaqësia e derrave kontemporanë është tipar dallues i vetë shoqërisë, e cila pasi kapërceu fazën e romantizmit kafshëror, arriti në përfundimin se: sa më shumë derra të ketë një komb, aq më mirë i shkojnë punët. Dhe këtë padiskutim e vërteton kombi ynë heroik, i cili pasi përvetësoi aftësinë e derrit për të ngrënë gjithçka, bëri edhe provën mahnitëse për të ngrënë vetëveten, të cilën e realizoi me sukses”, ishin dy pjesë nga skenari i shfaqjes “Marr guximin…”.

Por a është kjo një monodramë satirike? Lind kjo pyetje, sepse besohet gjerësisht që do të ketë të qeshura në sallë. “Është një satirë por shumë e hidhur, por 4-5 faqet e fundit janë dramë tragjike dhe një nga miqtë e mi që pa shfaqjen, më tha se i kisha ngatërruar lotët”, shpjegon Mehdi Malkaj, duke treguar se njerëzit përveç se mund të qeshin, edhe qajnë me dënesë.

E çfarë ndodh në momentin kur njerëzit qajnë? Kjo përbën edhe kulmin e shfaqjes e që mbetet një surprizë për t’u zbuluar në teatër. Një monodramë që ashtu siç shkaktoi të qeshura në studion e Pasdites, premton shumë të qeshura edhe në Teatrin Eksperimental. Por ka edhe një moment dramatik, shumë dramatik.

“Dreqi e mori, pas një marshimi shumë të gjatë – thotë i ziu – kur qentë lehnin dhe ne ecnim përpara, tani ndodhem në udhëkryq dhe shikoj tej në horizont qentë që ecin përpara dhe nuk e çajnë kokën për lehjet e mia. Më vjen keq, por këtu jemi të gjithë”, interpretoi sërish Mehdi Malkaj.

Por sa e vështirë ishte për ta vënë në skenë këtë shfaqje, pa pasur parasysh këtu mungesën e parave për regjinë, as për vështirësitë e interpretimit, por për lejen që duhet të japin ata, që në njëfarë mënyre shohin përmbajtjen e veprës për të thënë ia vlen të vendoset në skenë apo jo. A e kanë kollaj drejtuesit e teatrove, apo të këtyre institucioneve, të lejojnë vepra të tilla kaq të drejtpërdrejta e të forta, që në njëfarë mënyre flasin për drejtues të të gjitha niveleve?

“Mendoj se nuk jemi ende në stadin për të pranuar gjërat ashtu siç janë, ndaj dhe besoj se do të vazhdojë të jetë kështu. Por mendimi im është se unë duhet të bëj detyrën time si qytetar, sepse janë gjëra që i themi gjithë ditën me veten, me miqtë e afërt, por nuk marrim kurajon t’i themi në publik. Detyra e artistit dhe e televizioneve njëkohësisht është që të themi të vërtetën. E vërteta dhemb shumë, por dhemb vetëm një herë… ndërsa gënjeshtra dhemb sa herë e kujton, pse jo gjithë jetën. Dhemb shumë e vërteta, por një herë të vetme dhemb”, deklaroi Mehdi Malkaj.

Duke njoftuar se shfaqja do të jetë në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, të enjten dhe të premten më 19:00 të pasdites, Mehdi Malkaj theksoi se kishte avantazhin që nuk pati presion për ta nxjerrë shfaqjen, sepse në momentin kur nuk kishte gjetur një regjisor, e kishte lënë veprën në një vend të dukshëm në shtëpi. “E lashë aty, sepse pa regjisor një vepër nuk bëhet. Sa herë kaloja pranë saj, e shihja dhe qeshja me letrën: Ç’kemi, e pyesja. Hiç, më thoshte. Ime shoqe nuk e lëvizte, ndërsa hap e mbyll u shtrova e përvesha mëngët dhe gradualisht erdhi momenti që ndieva se duhej të kisha një njeri për kritikë, ndaj thërrisja miqtë e mi të profesioneve të ndryshme, një e nga një për të marrë opinionin e tyre, duke mbërritur deri këtu”. / Top Channel

Leave a Reply