Meta njeh zgjedhjet, por nuk jep dorëheqjen

Kishte deklaruar se do të ikte nëse fiton PS

Në deklaratën e parë pas 25 Prillit, Presidenti Ilir Meta i njohu zgjedhjet edhe pse në fushatë kishte hedhur akuza nga më të ndryshmet mbi procesin.

“Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit”.

Por ndryshe nga sa pritej, sipas përbëtimeve të vazhdueshme gjatë fushatës, ai nuk e dha dorëheqjen, që do të përkonte ekzaktësisht me datën e zgjedhjes se tij në Parlament.

Partia Socialiste ka fituar me 74 mandate, po aq sa 4 vjet më parë. Asnjë nga partitë e opozites, Partia Demokratike apo Lëvizja Socialiste për Integrim e themeluar nga Presidenti, nuk kanë pasur deri tani kontestime për procesin. Megjithatë, dorëheqja e premtuar e Metës mungon edhe pse ai thotë se është burrë i fjalës.

“Më besoni mua, unë jam ai që e mbaj fjalën se jam student i Ramiz Alisë që dha dorëheqjen e Presidentit dhe la opozitën të futej në zgjedhje”.

Tani nuk është e qartë se çfarë do të bëjë Presidenti, nëse do të vazhdojë të qëndrojë në Presidencë apo do të mbajë fjalën dhe do të kthehet t’i marrë partinë bashkëshortes së tij, me te cilën, siç ka pohuar edhe ajo vetë dhe siç u pa ditën e zgjedhjeve, marrëdhëniet janë ftohur jo pak./TV Klan/

Leave a Reply