Nuk vepruan për klimën, “e pësuan vetë”/ Merkel: Tani veprime urgjente!

Teksa numri i viktimave nga përmbytjet shkatërrimtare në Gjermani shënoi 177, kancelarja Angela Merkel pranoi se ekziston një nevojë e ngutshme për të përshpejtuar luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Në “Mea Culpan” e saj, shefja e ekzekutivit gjerman, pranoi se Gjermania dhe vendet e tjera “nuk kanë bërë aq sa duhet” për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius, një qëllim ky i vendosur me Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Nuk duhet të pretendojmë se nuk kemi bërë asgjë, por është e vërtetë që nuk është bërë aq sa duhet për të qëndruar nën 2 gradë dhe sa më afër 1.5-shit”, u shpreh ajo.

Kjo nuk është e vërtetë vetëm për Gjermaninë, por për shumë vende në të gjithë botën, prandaj duhet të rrisim ritmin”, shtoi Merkel.

Kabineti i saj miratoi të mërkurën një paketë emergjente, në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh, për të ndihmuar rajonet e prekura.“E kemi bërë të qartë se kjo shumë do të rritet nëse nuk është e mjaftueshme”, sqaroi kancelarja.

Dy landet më të goditura nga përmbytjet e javës së kaluar ishin Rajnland Falc dhe Nordrajn Vesthalen. Numri i viktimave vazhdon të rritet pasi ekipet e shpëtimit ende gjejnë trupa të njerëzve të zhdukur pas vërshimit të ujrave. Kreu i agjencisë kombëtare të menaxhimit të katastrofave në Gjermani, Armin Schuster, pranoi së fundi se ka pasur probleme me sistemet paralajmëruese të përmbytjeve.

Leave a Reply