Pas certifikimit të rezultateve të formohen institucionet e qeveria e re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, së bashku me anëtaret e Kryesisë Arbërie Nagavci dhe Fitore Pacolli, pritën shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj.

Apostolova uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi. Ajo tha se me përjashtim të pjesës veriore të vendit, ku u raportua se pati presion ndaj serbëve lokal, gjithçka duket se shkoi në mënyrë të drejtë dhe të rregullt. 

“Tani, është e rëndësishme që pas certifikimit të rezultateve të formohen institucionet dhe qeveria e re sa më parë në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian i ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si në fushën drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe mjedisit”, tha Apostolova.

Ndërsa kryetari Kurti i shprehi shqetësimin me procesin zgjedhor në veri të vendit. Nevojitet adresimi i shkeljeve dhe parregullsive atje si dhe fillimi i dialogut për zhvillim me serbët lokal. 

Ai përmendi nevojën e një mini-Marshall plani të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sidomos për bashkimin dhe zhvillimin e qyteteve të ndara, i cili do të mundësonte progres shoqëror dhe hov drejt integrimeve evropiane. 

Kurti tregoi se e ka mirëpritur vlerësimin dhe renditjen përkatëse të çështjeve të përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, për zgjedhjet e 6 tetorit, e të cilët theksuan rëndësinë që qeveria e re të fillojë sa më parë me masa që ndikojnë në: 1) zhvillimin ekonomik dhe social, 2) sundimin e ligjit, 3) zbatimin e MSA-së dhe 4) çështjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Në fund të takimit, palët u dakorduan për komunikim të rregullt e bashkëpunim të mëtejmë.

Leave a Reply