Pas vjedhjeve në Thesarin e Shtetit dhe AUV, LVV: Presim që shumë shpejt të rrëzohet kjo qeveri

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati në një konferencë për media ka thënë se vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, është shqetësuese.

“Një mendësi qeverisje të tillë si në të kaluarën ku rikthehen partitë e stërvjetruar mendësisë së vjetruar është normale që persona të tillë të bëjnë veprime të tilla sepse dikush u ka garantuar se nuk do të ndëshkohen. Kemi një rikthim të situatës sikurse më herët kur është vjedhur dhoma e dëshmive e nuk është dënuar askush, janë dhënë 53 milionë euro dhe nuk ka dhënë llogari askush, janë vjedh avance ne emër të udhëtimeve zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë e nuk është dënuar askush”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se si LVV kanë nisur një mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie, dhe presin që ai mocion të merr mbështetje edhe nga deputetët e tjerë.

“Ne si LVV kërkojmë që votohet mocioni i mosbesimit në mënyrë që ti jepet fund këtij keqpërdorimi”, tha Murati.

Murati foli edhe për vjedhjen e sotme në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku tha se kemi të bëjmë me një vjedhje fizike në një objekt ku ruhet nga Policia e Kosovës.

“Sot po ashtu e kishim edhe lajmin tjetër në rastin e vjedhjes në AUV. Nuk kemi të bëjmë vetëm me vjedhje elektronike e transaksione por edhe me vjedhje fizike në një ndërtesë që ruhet nga policia e Kosovës ku në katin e 3 vidhet thesari me peshë 300 kg. Kjo trimëri është shkaktuar nga veprimet që rikthejnë gjendjen kaotike dhe kriminale në vend duke filluar prej zhbërjes së procesit të Vettingut dhe zhbërjes së Task-forcës antikorrupsion dhe ndërhyrjes në drejtësi”, tha Murati.

Ai shtoi se çdo ditë që humb Kosova me ketë qeverisje ilegale, ka kosto të madhe për qytetarët e këtij vendi.

“Presim që shumë shpejt të rrëzohet kjo qeveri dhe ti hapet rrugë zgjedhjeve të reja”, tha Murati.

Leave a Reply