Të paktën 5 nxënëse janë lënduar mesditën e së premtes nga shpërthimi në tubat e sistemit të ngrohjes në shkollën fillore “Dardania” në Pejë.
Vajzat janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa dy prej tyre për shkak të lëndimeve më të rënda janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Policia e Kosovës në rajonin e Pejës njofton se gjendja e 10-vjecarëve është e jashtë rrezikut për jetën.
Hetuesit policorë janë duke u koordinuar me Prokurorin e Shtetit për të mësuar shkaqet që kanë çuar deri te shpërthimi dhe po punohet për zbardhjen e këtij rasti.
Në QKUK në Prishtinë mjekët flasin për pacientet në gjendje më të rëndë. Njëra prej tyre është vogëlushja Anjeza Mujaj, e cila ka pësuar djegie të shkallës së dytë. Ajo i është nënshtruar operimit.
“Gjendja e pacienteve, të cilat janë sjellë me autoambulancë nga Peja janë në gjendje të qëndrueshme, mirëpo kanë djegie të shkallës së dytë me një sipërfaqe të madhe, do të thotë ka përfshirë pjesët e turpit, ekstremitetet të dyja do të thotë duhet të bëhet ndërhyrje, përpunimi i plagëve në sallën operative…momentalisht jashtë rrezikut për jetë, mirëpo shkalla e djegies është jashtëzakonisht e madhe…shkalla e djegies është relativisht serioze, kështu që nuk mund të them se do të thotë që do të ketë shumë pasoja, mirëpo gjithçka varet më tutje si do të shkojë shërimi i tyre”, u shpreh Ejup Govori, specialist i emergjencës në QKUK.
Gjendjen e rëndë shëndetësore të Anjezës, e ka konfirmuar edhe kirurgu plastik, Ylber Zejnullahu, i cili tha se këto djegie, më vonë mund të sjellin komplikime.
“Janë të djegura pothuajse në të gjitha zonat, pjesërisht, fytyrë, qafë, duar, më pak në këmbë. Për momentin janë po për shkak të seriozitetit që ka kjo dhe vështirësive që mund djegia që shkakton pastaj, se priten vështirësitë në ditët në vazhdim, ne duhet të marrim të gjitha masat që të kompensohen të gjitha ato lëngje që organizmi i hup. Gjendja është e rëndë, por është e qëndrueshme për momentin”, tha Ylber Zejnullahu, kirurg plastik.
Tubat e sistemit të ngrohjes kanë shpërthyer në kohën kur po zhvillohej procesi mësimor, ndërsa ende nuk dihen shkaqet.
Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, e cila ka njoftuar se hetuesit policorë janë duke u koordinuar me prokurorin e shtetit për të mësuar shkaqet që kanë shkaktuar shpërthimin.