Përshkallezohen sulmet turke në Siri

Ankaraja ka vendosur të mos tërhiqet nga sulmet në verilindje të Sirisë, pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtarëve dhe krizës humanitare atje.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se sulmet nuk do të ndalen, pavarësisht kërcënimeve.

“Tani ka kërcënime që vijnë nga e majta dhe e djathta, duke na thënë që të ndalojmë këtë. Ne nuk do të tërhiqemi”, shprehet Erdogan.

Nga ana tjetër, SHBA-të kanë paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të ashpëra ndaj Ankarasë, si dhe do të kërkojë ndërmjetësimin e një armëpushimi në ditën e 3 të ofensivës turke në Siri. Edhe Franca ka kërcënuar me sanksione kundër anëtarit të NATO-s, ndërsa Shefi i Aleancës së Atlantikut të Veriut Jens Stoltenberhg i ka bërë thirrje Ankarasë për vetëpërmbajtje.

Forcat kurde të shënjestruara nga Turqia ishin partneri kryesor i koalicionit të udhëhequr nga SHBA në betejën kundër shtetit islamik ISIS. Ekspertët parashikojnë se ata nuk do të mund të mposhtin Turqinë pa ndihmën e të huajve. Liderët kurdë ndërkohë akuzojnë SHBA-të se ua kanë ngulur thikën pas shpine duke i lënë të vetëm në mesin e një lufte të tillë.

Erdogan kërkon të krijojë një zonë sigurie mes kufirit dhe territorit të kontrolluar nga forcat kurde Siriane, të cilët kanë lidhje me rebelët kurdë të Turqisë. Ai gjithashtu planifikon të përdorë këtë rrugë për të vendosur 3.6 milion refugjatëve sirianë që jetojnë në tokën turke.

Por, duket se një mënyrë e tillë për zhvendosjen e refugjatëve rrezikon të sjellë rikrijimin e Shtetit Islamik, pasi më shumë se 2000 luftëtarë janë të burgosur në pjesën verilindore të Sirisë, aty ku Turqia nisi ofensivën që prej të martës.

Leave a Reply