PS kërkon votat e Opozitës/ Duhet ndryshuar kushtetuta për vettingun. PD dhe LSI nuk kanë përgjigje

Pavarësisht situatës me komisionet parlamentare socialistët nuk kanë humbur kohë dhe nisin përgatitjet për një ndryshim të ri kushtetues që lidhet me procesin e vettingut në drejtësi.

Nga mbledhja e kryesisë së grupit parlamentar socialist Taulant Balla u kërkoi kryetarëve të komisioneve të bashkërendojnë punën për një ndryshim kushtetues.

Bëhet fjalë për ndryshimin e nenit ku parashikohet kohë-veprimi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që mbaron më 7 Qershor 2022.

Nga foltorja e parlamentit ishte Ulsi Manja ministër i drejtësisë që kërkoi votat e opozitës për këtë ndryshim për ti dhënë KPK afat veprimi deri në përfundimin e vettingut të 370 gjyqtarëve dhe prokurorëve në listë për tu vetuar.
Burime nga PD i thanë Top Channel se kjo nuk është çështje në shqyrtim dhe se PD do të ketë qëndrimin e saj në kohën e duhur.

Ndërsa zyra e shtypit në LSI tha se kjo forcë politike do ta shprehë qëndrimin në kohën kur ndryshimet të diskutohen në parlament.

Krye-demokrati Lulëzim Basha në parlament deklaroi se “Reforma në drejtësi është një e sëmurë që mbahet në intubim prej ndërkombëtarëve.

Vetë demokratët deri më tani kanë artikuluar kërkesën për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve përfshi shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimin.

Leave a Reply