Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka nisur mbledhjen e Qeverisë pasditen e së premtes, duke dënuar sulmin me vezë ndaj ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Mustafa tha se, veprime të tilla nuk do ta zmbrapsin qeverinë.
“Ne nuk heqim dorë dhe nuk ka vezë apo sulm, që do të na detyrojë të heqim dorë nga këto marrëveshje, por në çdo rast do të respektojmë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, si verdikt përfundimtar. Opozita dhe veçmas Vetëvendosja po marrin vendime për hedhje vezësh apo gazi lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, për pengimin e punës së Kuvendit punës së zyrtarëve e institucioneve të Republikës së Kosovës, që janë vendime vetëm të të ligëve, burravecëve dhe atyre që nuk ka guxim të merren me punët e vërteta të shtetit, por e pengojnë atë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Më tej në këtë mbledhje qeverie u miratua propozimvendimi për transferimin e parave për pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe propozimvendimi për lidhjen e marrëveshjes financiare për “IPA 2014” dhe “IPA 2015” për bashkëpunim ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Kosovës.
“Aktualisht, deri më sot janë pranuar mbi 12 mijë aplikime. Për zbatimin e drejtë dhe të plotë të së drejtës së pensionit të veteranit nevojiten 8 milionë euro për të paguar pensionet për vitin 2015. Shuma e mjeteve financiare do të realizohet në varësi të verifikimit të listave të përfituesve, të cilët kanë plotësuar kushtet për realizimin e e pensionit të veteranit të UÇK-së”, tha Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Të ardhurat e përfituara në kuadër të këtyre dy programeve përfshijnë shumën prej dy milionë eurosh, që do të ndahen midis dy vendeve tona. Këto marrëveshje do të mundësojnë përfitimin e fondeve për bashkëpunim ndërkufitar nga ana e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Këto të ardhura do të zbatohen në zonat kufitare të dy vendeve, përkatësisht në rajonet e Lezhës dhe Kukësit në Shqipëri, si dhe në zonat ekonomike perëndimore dhe jugore të Kosovës”, tha Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimit Europian.
Këto programe kanë në fokus mbrojtjen dhe ruajtjen e burimeve të mjedisit, promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore.
Kabineti qeveritar, ndër të tjera miratoi edhe nismën e qeverisë hungareze për ndarjen e 30 bursave studentore për vitin e ardhshëm akademik, që u prezantua nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, dhe është përkrahur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme.