Sekretari i Shëndetësisë infektohet me Covid-19, kryeministri britanik nuk vetë-izolohet

Sekretari i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe, Sajid Javid ka rezultuar pozitiv me Covid-19 pas takimit që pati me kryeministrin dhe kancelarin britanik ditën e premte.

Sekretari i Shëndetësisë ka vizituar Downing Street të premten, ndërsa të martën vizitoi një shtëpi kujdesi. Sipas rregullave të provës dhe gjurmimit, çdokush që ka qenë në kontakt me Javid dhe ka qenë në një largësi për 1-2 metra për më shumë se 15 minuta duhet të vetë-izolohet.

Të dy kryeministri britanik dhe Rishi Sunak, kancelar në qeverinë e Boris Johnson, u testuan si kontakte të sekretarit të Shëndetësisë.

Por “Downing Street” tha se dy zyrtarët e lartë do t’i nënshtroheshin sistemit pilot të testit të shpejtë në mënyrë që të shmangin vetë-izolimin.

“Ata do të marrin pjesë në sistemin pilot të testimit të shpejtë për t’i lejuar që të punojnë nga Downing Street.  Ata do të kryejnë vetëm biznesin thelbësor të qeverisë gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.

Pasi rezultoi pozitiv me koronavirus, sekretari i shëndetësisë, i cili ka marrë të dyja dozat e vaksinës i përshkroi simptomat e tij si “shumë të lehta”, tha se do të vetë-izolohej dhe do të punonte nga shtëpia.

Leave a Reply