SHBA marrëveshje me Gjermaninë për gazin rus

Republikanët akuzojnë Biden se u dorëzua para Putinit

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania arritën marrëveshjen që do të lejojë përfundimin e tubacionit të gazit rus në Evropë, “Nord Stream 2”.

Uashingtoni dhe Berlini janë zotuar se do të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe kompanive gjermane, nëse Moska e përdor tubacionin si armë politike.

Por kjo marrëveshje, e cila lejon ndërtimin e këtij gazsjellësi duke shmangur ukrainën, ka ngjallur debate të forta në Senatin Amerikan.

Senatorët republikanë dhe një pjesë e demokratëve e konsideruan marrëveshjen e nënshkruar mes Presidentit Biden dhe Kancelares Merkel tradhëti ndaj interesave amerikane duke lejuar Putin të shantazhojë Evropën dhe Ukrainën në furnizimin me gaz.

“Ky është një kapitullim fatal nga Presidenti Biden duke i dhënë zotit Putin çdo gjë që dëshiron. Presidenti u dorëzua përpara gazësjellësit të cilit ne me sukses e kishim ndalur deri në këtë moment që Biden u dorëzua. Ky është një gabim gjeopolitik që për dekada në vijim u jep mundësi diktatorëve të ardhshëm rus  të përfitojnë miliarda Dollarë nga gabimi i Biden, një gazësjellës që do të ndëshkojë Evropën para së gjithash”.

Por nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland tha se Gjermania ishte angazhuar në marrëveshje për sanksione ndaj Rusisë nëse ajo përpiqet të përdorë energjinë si një armë ose të kryejë veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës dhe Evropës.

“Kjo është jo korrekte senator, ne nuk duam të dobësojme Evropën dhe Ukrainën. Madje e kemi ftuar Presidentin Zelenski në Shtëpinë e Bardhë. Ne kemi marrë garanci të qarta nga Gjermania”.

SHBA-ja e ka kundërshtuar fortë ndërtimin e këtij gazësjellësi, duke pretenduar se tubacioni do të rrisë varësinë e kontinentit evropian nga gazi rus dhe do t’i mundësojë Moskës të rrisë presionin politik mbi Poloninë dhe Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë thënë se tubacioni mund ta privojë Ukrainën nga tarifat e tranzitit, të cilat i mbledh nga tubacionet që kalojnë në territorin e saj.

Projekti Nord Stream 2, në vlerë prej 11 miliardë Dollarësh, është afër përfundimit dhe do ta transportojë gazin rus në tregjet perëndimore, nën Detin Baltik, duke anashkaluar Ukrainën.

Leave a Reply