Shkup, protesta para televizionit publik

Aktivistët e lëvizjes qytetare “Hajde”, këtë të shtunë u tubuan para godinës së Televizionit Maqedonas, për të shprehur revoltën e tyre kundër drejtuesve të kësaj mediaje që e kanë shndërruar atë në zëdhënës të pushtetit.

Protestuesit kërkuan që televizioni publik t’i japë fund propagandës për pushtetin dhe t’i kthehet informimit real në interes të të gjithë qytetarëve të vendit.

“Jemi dëshmitarë se në Maqedoni liria e shprehjes dhe liria e informimit janë shkelur. Lidhja mes qeverisë dhe disa medieve e kanë shkatërruar gazetarinë. Në këtë pozitë ka rënë edhe Televizioni Maqedonas, që është shndërruar në buletin ditor të qeverisë”, deklaroi aktivistja Biljana Bejkova.

Gazetarë të redaksive të ndryshme që morën pjesë në këtë protestë thanë se kolegët e tyre të Televizionit Maqedonas janë duke punuar në kundërshtim me etikën e gazetarisë dhe i ftuan ata që të respektojnë parimet universale të këtij profesioni.

“Unë jam këtu për t’i inkurajuar kolegët tanë të Televizionit Maqedonas që në të ardhmen t’u thonë ‘jo’ kryeredaktorëve të tyre kur ata do të kërkojnë që të bëjnë propagandë për pushtetin. Le t’i kundërshtojnë kryeredaktorët e tyre kur ata nuk kanë të drejtë dhe ne do t’i mbështesim”, deklaroi Sashka Cvetkova.

Aktivistët dhe gazetarët paralajmëruan se do të bllokojnë hapësirat e Televizionit Maqedonas nëse kjo media, që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, vazhdon propagandën për pushtetin. /Top Channel

Leave a Reply