Tahiri: Të gjithë të barabartë para ligjit

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deklaroi në një konferencë për media, se vendimi për dorëheqje i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi është një shembull për përgjegjësinë morale të treguar në këtë rast.

“Dua të theksoj fort këtu, përgjegjësinë morale që Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka marrë sot duke u dorëhequr për të dhënë mesazhin e qartë e të fortë të dinjitetit të Policisë që po rilindim. Marrja e kësaj përgjegjësie prej tij, është akti kuptimplotë i vullnetit tonë të përbashkët për të ndërtuar mes njëmijë e një vështirëve objektive, po edhe përballë plot pengesave artificiale të politikës së baltës, frymën e ligjshmërisë, modelin e transparencës dhe moralin e mosfshehjes para përgjegjësive që duhet ta mishërojë çdo punonjës i Policisë së Shtetit”, u shpreh Tahiri.

Tahiri theksoi se standardi i Qeverisë është i njëjtë dhe se zbatimi i ligjit është njësoj për të gjithë.

‘Përpara kësaj pasqyre të pastër të modelit tonë të ri për Policinë e Shtetit, – tha Tahiri me tej, – e kam të pamundur të mos shpreh neverinë më të ndjerë ndaj atyre që vazhdojnë të luftojnë egërsisht për ta kriminalizuar policinë e qeverinë tonë, me shpifjet më shtazarake’.

“Ata që deri dje, manipulonin skena krimesh, prova e dëshmitarë, mohonin krime të ndodhura nëmes të ditës, shpiknin komplote e puçe me gazetarë e me prokurorë e me presidentë e me opozitarë po e po, sot bubullojnë se Mark Frrokun e paska mbrojtur qeveria për ta përdorur si dëshmitar të rremë. Ju njoftoj se edhe për këtë, do të çojmë menjëherë kallëzimin penal, qoftë unë qoftë Kryeministri i Shqipërisë”, theksoi Tahiri.

Ministri siguroi se, Qeveria është e angazhuar për ta rikthyer besimin e partnerëve tek Policia e Shtetit.

Leave a Reply