Tahiri: T’i japim fund pandëshkueshmërisë. Bylybashi: Shqipëria, bahçe me hashash

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në fjalën e mbajtur në seancën plenare të kësaj të enjte u përqendrua tek nevoja e reformës në drejtësi për t’i dhënë fund, sipas tij, pandëshkueshmërisë në klasën politike.

“Unë nuk dua në këtë parlament njerëz që kanë vrarë. Ne duhet të dënojmë ata që janë në karrige pushtetit. Ua kemi borxh shqiptarëve reformën në drejtësi. Ky parlament nuk vlen më pa reformën në drejtësi”, tha Tahiri.

Por, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi deklaroi se nuk mund të kërkojë reformë në drejtësi dhe ndëshkim një ministër i përfshirë, sipas tij, në trafik droge dhe deklarim të rremë të pasurisë.

“Ky ministër po përmbyt Greqinë dhe Italinë me drogën, si asnjëherë tjetër dhe atje nuk ka ndryshuar gjë. Nën këtë ministër Shqipëria është bërë bahçe me hashash nga fillimi tek fundi”, tha Bylykbashi.

Bumçi: Po largoni shqiptarët nga vendi

Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi interpretoi raportin e progresit të Komisionit Europian si një raport alarmant.

Bumçi akuzoi maxhorancën si fajtore e drejtpërdrejtë për situatën e krijuar në vend dhe keqqeverisjen për largimin e shqiptarëve, duke përmendur këtu çështjen e azilkërkuesve.

“Numri i azilkërkuesve gjatë gjithë vitit ishte 1 mijë kur erdhët ju në pushtet dhe ishin shumë pak. Numri ka ardhur duke u rritur në mënyrë të frikshme. 16 mijë azilkërkuar në 2014 dhe 600 përqind më shumë së në 2014 në 9 muajt e parë të 2015. Shqiptarët po largohen sa më shumë ju rrini në qeverisje dhe nëse shtojmë edhe 200 mijë aplikuesit për Green Card (lotaria amerikane) është alarmante. Raporti i progresit reflekton sot atë që ndjejnë shqiptarët”, tha Bumçi.

Deputeti demokrat u ndal gjatë tek vlerësimi i OSBE/ODIHR për zgjedhjet, duke deklaruar se zgjedhjet u shkelën rëndë.

“Nuk mund të çelen negociatat me zgjedhje jodemokratike”, tha Bumçi.

Peleshi: PD i jep zë klientelës që përfitoi në 25 vjet në kurriz të shqiptarëve

Zv.kryeministri, Niko Peleshi akuzoi opozitën se po përbalt reformat e qeverisë e nxitur nga klientela pranë saj që ka përfituar në kurriz të shqiptarëve në këto 25 vite tranzicion.

“Shpesh zëri i opozitës nuk është zëri i rezistencës ndaj ndryshimeve, por u bashkohet shpesh atyre që kanë përfituar nga sjellja e politikës në 25 vite. Sot ata reagojnë sepse një shoqëri formale, një ditë do të prekë ehde ata, një qeveri do të prekë edhe parajsat e ndërtuara prej tyre. Shqiptarët kanë votuar për t’i dhënë fund tranzicionit. Kemi nisur nga ndërtimi i një Shqipërie normale dhe nuk do tërhiqemi, as nga balta juaj dhe as nga reaksioni i atyre që janë përtej jush, që nuk mund të përshtaten që të jetojnë në një Shqipëri normale, në një Shqipëri europiane”, tha Peleshi.

Leskaj: Nuk më intimidoni dot me histori tenderash

Nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj, në reagimin e parë për akuzat e bërë ndaj djemve nga opozita është shprehur se djali i saj është një ndër taksapaguesit më të rregullt.

“Dua t’ua them që në fillim harrojeni se mund të më bëni pis, harrojeni se mund të më intimidoni duke sajuar histori me tendera dhe do t’i marrë një për një dhe ato që përmendet ju. Ne bëmë një diferencë, sepse unë jam një nënë krenare dhe e lumtur për fëmijët e mi, dhe mos mendoni se duke më goditur si nënë mund të më dobësoni apo trauma në familje. Dua tua them që në fillim se djali im është 48 vjeç, ka 20 vjet në biznes, e ka ngritur në kohën tuaj biznesin, nëse i ke bërë ndonjë privilegj çohu e thuaje këtu. Është nga taksapaguesit më të rregullt. Zero para publike në biznesin e tij. Një prindi që e ka vajzën 18 vjeç, një njeri model kur mbeti pa punë e ka dalë ka shitur në treg zotëri sepse mbeti pa punë. Ctë bënte, të bënte rolin e sekserit? Të dy fëmijët e mi kanë mbaruar shkollat shkëlqyeshëm, janë fëmijë që që nga kopshti deri sot janë model”, është shprehur deputetja Leskaj.

Dy djemtë e Leskajt, prej disa kohësh janë në shënjestër të akuzave të opozitës si përfitues tenderash. Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e Leskajt si nënkryetare e Kuvendit.

Blushi: Drejtësia e politizuar ndëshkon integrimin

Duke marrë fjalën në seancën parlamentare, deputeti i PS, Ben Blushi ka vënë në dukje se, shtyrja e procesit të integrimit për Shqipërinë ka ardhur si pasojë e kriminalizimit të politikës.

Blushi ka deklaruar se vetëm një drejtësi e pavarur mund ta pastrojë politikën dhe e ka cilësuar një truk kushtin e dekriminalizimit të vendosur nga opozita për reformën në drejtësi.

“Integrimi i shqiptarëve në Evropë është shtyrë, shtyrë dhe vetëm është shtyrë. Debati që kishim në Bruksel ishte dekriminalizimi. Europarlamentarët kur na dëgjojnë pyesin veten: a duan ata të integrohen? Ne duam, por çështja është tek disa kushte. Kolegët e opozitës atje e kushtëzuan reformën në drejtësi me dekriminalizimin. Ata thonë se duhet të kalojë ky ligj, sepse ky Parlament nuk ka të drejtë të miratojë reformën pa larguar deputetët kriminelë”, ka thënë Blushi.

Dhe kjo sipas tij është një qasje që as ai vetë nuk e hedh dotë poshtë. “Edhe unë mendoj se kriminelët nuk kanë të drejtë të zgjedhin gjykatësit. Ne bëjmë ligje që të kapin të tjerët, por jo ne”, ka thënë Blushi, i cili ka përdorur tone të ashpra ndaj këtij institucioni.

“Ky parlament nuk i ngjan një parlamenti evropian sot. Ka aq shumë kriminelë këtu, sa mua më duket sikur jemi në një qendër burgimi. Ky do të mbahet mend si parlamenti më qesharak”, ka vijuar Blushi.

Ai është shprehur se, populli shqiptar i ka votuar këta njerëz sepse nuk ka pasur oferta më të mira dhe ka votuar partitë sepse s’kishte emra.

“A do të ishte ky parlament që është sot po të kishim një drejtësi e pavarur? Kjo drejtësi është e vetmja për të pastruar parlamentin. Unë nuk besoj se dy palët në parlament kanë vullnet për ta pastruar këtë parlament”, ka thënë më tej deputeti i PS.

Sipas tij, zgjidhjet janë vetëm dy. “E para është populli shqiptar, që nëse merr vendime të na nxjerrë jashtë ne s’e ndalojmë dot; e dyta është drejtësia që mund të na pengojë”, ka vijuar Blushi.

“Reforma në drejtësi është një shpagimi ynë. Argumenti i dekriminalizimit para reformës në drejtësi është një truk. T’i japim një përgjigje serioze cështjes së pandëshkueshmërisë së politikanëve”, ka shtuar deputeti socialist.

Patozi: Nuk kam shpresë te reforma në drejtësi. Replika me ministren Felaj

Debati në Kuvend është tensionuar mes deputetit demokrat Astrit Patozi dhe ministres së Shtetit Ermonela Felaj. Gjatë fjalës së tij Patozi është shprehur se nuk ka asnjë shpresë se reforma në drejtësi është shpëtimi i Shqipërisë, për sa kohë një Kushtetutë përshtatet me reformën dhe jo reforma me Kushtetutën.

“Nuk kam asnjë fije shprese te reforma në drejtësi, qëllimi i maxhorancës është kapja e sistemit. Por dhe sikur të trajtohej e gjitha në mirëbesim mes palëve dhe të votoje me konsesus nuk mendoj se do të ishte zgjidhja, sepse ne sot po përshtatim Kushtetutën për një reformë, teksa duhet të ishte reforma që duhej t’i përshtatej Kushtetutës. Kanë ardhur për shkak të ndërhyrjes dhe presionit të politikës ndër vete. Nëse donim të ndryshonim ca gjëra, nuk mund ta bëjmë me arnime, qofshin një nga kolonat e pushtetit, siç është pushteti gjyqësor. Shqipëria ka nevojë për një kushtetutë të re dhe një qasje tjetër të shtetit që duhet të fillojë me zgjedhjet dhe deri te instituconi i fundit. A kemi vullnet? Atëherë po, mund të flasim për stad të ri të evolucionit demokratik të vendit. Sipas meje është e vetmja rrugë për të shpëtuar një vend që po rrokulliset drejt humnerës për shkak të një depresioni që buron prej kësaj salle”, tha zoti Patozi..

Në replikë të tij, ministrja Felaj akuzoi qeverinë e kaluar për raste të shumta të dëmit ndaj medias dhe gazetarëve. “Në fakt nuk e kuptoj se si merrni kurajon të flisni për lirinë e shprehjes, zoti Patozi se ju si forcë politike nuk mund të bëheni flamurtarë të lirisë së shprehjes për sa kohë në të kaluarën politike shënoni raste të shumta. Keni detyruar gazetarë të kërkojnë azil jashtë vendit, keni plagosur gazetarë më 21 janar. Jemi zgjedhur nga populli të themi të vërtetën. Në rast se shpifim për këtë na dënon Kushtetuta dhe e thotë shumë qartë që deputetët mbajnë përgjegjësi në rast se shpifim, por dhe kodi penal. Për ne që paguhemi nga taksat e popullit. Ju lutem mos abuzoni më shumë me këtë gjë”, tha ministrja Felaj.

“Zonja ministre, për shkak të peshës që zini në kabinetin qeveritar, por dhe të nivelit tuaj unë e quaj të paarsyeshme të bëj replikë me ju, por mund ta konsideroni fyerje dhe ta fusni te ky neni i ri që do miratoni. Por një gjë po ta them, që ato që ju përmendet si njolla në biografinë time politike apo profesionale janë dekorata dhe për shkak të atij kalvari ne arritëm te dekriminalizimi që ishte arritje e përbashkët. Uroj shumë që ju këtij kali që i keni hipur t’i shkoni deri në fund dhe sapo mora një shenjë që vërtetë keni ndërmend t’i shkoni deri në fund. Zoti ju ndihmoftë!”, tha Patozi.

“Zoti Patozi do të ishte në nderin tuaj t’i kërkoni ndjesë zonjës”, ndërhyri drejtuesja e seancës, Valentina Leskaj.

Berisha: Rama- Meta, çifti që ndahet po nuk e shpall

Ish kryeministri Berisha kërkoi ndërprerjen e seancës deri në garantimin e rikthimit të ministrave të LSI-së. Ai tha se dyshja Rama- Meta janë bërë si “çifti që ndahet por nuk e shpall”.

“Ju kërkoj të ndërprisni seancën dhe të garantoni rikthimin e ministrave të LSI në Parlament. E di si jeni bërë ju? Si puna e atij çiftit që ndahet dhe nuk e shpall. Dhe i thonë njëri-tjetrin nuk e shpallim për shkak të fëmijëve, ju nuk e shpallni për shkak të parave. Ku i keni? Kam konstatuar se ka një muaj rresht që ministrat… edhe sot dalja e Brahos, ishte në kuadrin e rukturës që ju keni. Mos ta bëjmë formal fare këtë”, tha Berisha.

Kosova në UNESCO, Bumçi: Dështim i Ministrisë së Jashtme shqiptare

Votimi për Kosovën në UNESCO është kthyer në debat mes pozitës dhe opozitës në Parlament. Ministri Ditmir Bushati ka qënë në qendër të akuzave për dështim të ministrisë së tij, në lobimin për pranimin e Kosovës në këtë organizëm.

“Mos hapja e negociatave është dështim i Edi Ramës. Ministria e Jashtme nuk mund të zbukurojë një Shqipëri që nuk ekziston, por ministria e Jashtme ka dështuar dy herë me turp. Po përmend mospranimin e Kosovës në Unesco, dështim i turpshëm i ministrisë së Jashtme që nuk është koordinuar me autoritetet në Kosovë. Besoj e mbani mend përpara 2 muajsh votuam pro Palestinës në OKB duke votuar kundër SHBA, dhe ndyshe nga Anglia dhe Gjermania. Si votoi Palestina për Kosvoën në UNESCO? Po vendet e tjera që sponsorizuan votën pro Palestinës i kishin dhënë fjalën këtij ministri të Jashtëm, dhe Palestina votoi kundër Kosovës. E dyta merr rrugën në Amerikën Latine, Brazil dhe Argjentinë. A e dini si voton Brazili me Argjentinën? Kundër Kosovës. Ndërsa një vend si Polonia, pro amerikane, jashtë influencës së Rusisë që ka njohur Kosovën, abstenon. Po ku e kishte ambasadorin ky ministër, sensorët dhe treguesit? Pse nuk mori rrugën për në Poloni? Kjo është një fushatë e turpshme, dështake”, tha Bumçi.

“Nuk mendoj se në politikë të jashtme është shumë e mençur të bësh spekulime. Keni bërë disa komente, keni thënë që Shqipëria ashtu, qeveria ashtu, etj etj. Besoj se do ia vlente të lexonit dy elementë në këtë raport dhe përsa i përket dinamizmit të Shqipërisë në politikë të jashtme dhe rajon, raportin me fqinjët. Politika e jashtme dhe dinamizmi jonë në rajon vazhdon të mbetet një aset i çmueshëm. Referohuni vlerësimit për kapitullin 31, vlerësim realist për politikën e jashtme dhe sigurisë. Por besoj se këto nuk janë procese që kanë nisur me këtë qevri, po procese që dëshmojnë një vokacion të qartë dhe një unitet të vlerave shqiptare me vlerat perëndimore”, tha ministri Bushati.

“Përsa i përket zotit Bumçi do të them këtu që këta jo vetëm që nuk të ndihmojnë, po nëse Kosova nuk mori dot votat që meritonte shkak madhore është Edi Rama me bëma e gjëmat e tij. Po rikthehet ajo kohë kur miqtë e mi më thoshin kur bëja modestisht avokatinë e Kosovës, ri ri mos fol se ata janë më mirë se ju. Tani këta dëmtojnë, sepse nëse ka një kryeministër me emër të nxirë, në mbarë botën, është Edi Rama, kryemashtruesi nga viti ’45 deri në ditët e sotme në arenën ndërkombëtare me gënjeshtrën për armët e Sirisë”, tha ish kryeministri Berisha.

Kuvend, Bregu: Progres-raporti, skëterrë. Shpifja, kapriço e qeverisë

Kryetarja e komisionit parlamentar të integrimit, Majlinda Bregu ka hedhur poshtë pretendimet e ministrave të qeverisë Rama, për vlerësime pozitive në raportin e progresit të KE-së.

Në fjalimin e saj në seancën plenare, Bregu ka deklaruar se refuzimi i hapjes së negociatave të anëtarësimit është thelbi i këtij raporti, që tregon se Shqipëria është ende mbrapa me implementimin e prioriteteve kyçe.

“Të parët që e dinin se Shqipëria nuk do të merrte hapjen e negociatave ishin anëtarët e qeverisë. Shqipëria nuk ka përmbushur mjaftueshëm asnjë nga ato kritere e detyrime për të filluar këtë proces”, ka deklaruar Bregu.

Ajo ka theksuar se, klasa politike shqiptare nuk kishte nevojë për publikimin e progres-raportit për të ditur gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

“Ne nuk kishim pse prisnim publikimin e vonuar të progres-raportit për të ditur se reforma në drejtësi është e hershme. Nuk duhet të na i thoshte progres-raporti se shpërbërja e organizatave kriminale në Shqipëri mbetet e papërfillshme, apo se Shqipëria duhet të krijojë një historik të ndjekjes ligjore të krimit të organizuar. Nuk na duhej progres-raporti as për të na treguar se ndikimi politik mbi organet e ligjit dhe gjyqësorit është shqetësues, apo se korrupsioni është ende korrupsion. Gjithashtu, nuk na duhej progres-raporti për të na thënë se, emigracioni dhe numri i azilkërkuesve nga Shqipëria janë rritur në dy vitet e fundit”, ka thënë Bregu.

Më tej ish-ministrja e Integrimit ka prekur edhe projektligjin për kriminalizimin e shpifjes për zyrtarët. Ajo ka kujtuar rastin e saj, që kur ishte ministre u akuzua për lidhje me një organizatë mafioze me atë të ministrit aktual të Shëndetësisë, Ilir Beqja. “Kush është më i dyshimtë, rasti i një ministreje që i akuzohej kunati për lidhje me mafian, apo ai i një ministri kompania e të cilit fiton 11 tendera?” ka thënë Bregu.

Bregu është shprehur se, projektligji në fjalë është hartuar sipas qejfeve të mazhorancës aktuale, që sipas saj synon t’i mbyllë gojën opozitës.
“Deri dje kishte një shqetësim të madh se do t’u mbyllej goja gazetarëve. Tani del që pr/ligji është për politikanët. Kështu i bie që të gjithë deputetët e opozitës të jenë kriminelë. Kurse ju vazhdoni të flisni. Raporti i progresit e thotë qartë: qeveria ka në dorë rezultatet për ta përshpejtuar këtë proces, opozita duhet të kontribuojë”, ka thënë Bregu.

Berisha: Dëm mbi 100 milionë Albpetrolit. Po shkatërroni biznesin

Ish-kryeministri Berisha, në fjalën e tij në Parlament ka denoncuar disa anomali, që sipas tij po vihet re në kompanitë që menaxhojnë burimet natyrore e jo vetëm.

“E vërteta është se punonjësit e uzinës së Ballshit kanë 5 muaj pa rroga e nuk sigurojnë dot kafshatën. Është një baloz i cili në një kohë rekord i ka shkaktuar Albpetrolit një dëm prej 100 e ca milionë”, ka thënë Berisha.

Më tej ai ka kujtuar sulmin me vezë ndaj kryeministrit, duke bërë komentet e tij. “Ngado që shkoni ju ndjekin vezët. Për të shpëtuar nga vezët iku njëri nga Kryeministria, ia mbathi. Por përgjigjen më të shkëlqyer ia dhanë studentët dje”, ka thënë Berisha, duke iu referuar protestës së studentëve kundër ligjit në arsimin e lartë.

Më tej ish-kryeministri ka kritikuar ashpër edhe masat që po aplikon qeveria ndaj biznesit.

“A keni parë ndonjë vend në botë ku vendosen këto masa ndaj biznesit, si ato që po vendos nipi i Spiro Kolekës? Shtet diktatorial do të bëni ju? A keni parë ndokund në botë një terror të tillë ndaj biznesit? Ky njeri po rrënon çdo ditë gjendjen shpirtërore e morale të këtij vendi”, ka thënë Berisha duke iu referuar kryeministrit Rama.

Debate për tenderin e radarëve të detit dhe raportin e KLSH-së

Tenderi për radarët detarë është rikthyer në debatet e Kuvendit mes ministres së Mbrojtjtes Mimi Kodheli, ish kryeministrit Berisha dhe paraardhësit të saj, Arben Imami. Gjatë prezantimit të planit afatgjatë të zhvillimti të FA, 2016-2020, ministrja Kodheli sqaroi tenderin e radarëve dhe raporton e KLSH për ministrinë e Mbrojtjes.

“Flisni për dyqan celularësh dhe favorizim tenderash. Kjo është pak të thuash qesharake, ndërkohë që zëdhënës tuaj thonë se kjo kompani është përjashtuar në vitin 2013, këtu kam një letër zytare tuajën, ku sekretari i përgjitshëm i ministrisë së Mjedisit të asaj kohe ku i thotë zgjidhje të kontratës se nuk janë zbatuar kushtet. Vijmë te dyqani i celularëve. Ky zotëri është dokumentacioni ku kjo kioska e celularëve ka kontrata të firmosura me ministrinë e Mbrojtjes që nga 9.1.2005. Bazuar në këtë kontratë të fundit vlera e 5 muajve shërbim ishte 58.5 mln lekë, për pesë muaj. Ne kemi bërë një kontratë 1-vjeçare, po me të njëjtën kompani për 62.4 milionë lekë. Kjo është diferenca”, tha ministrja Kodheli.

Në përgjigje të deklaratës së saj, paraardhësi Arben Imami tha se kjo kompani është përjashtuar për shkak të performancës së dobët. Ai i sugjeroi ministres që tenderi për radarët të jetë afatgjatë dhe jo i përvitshëm.

“Kompania që ju ia dhatë ishte kompania që u përjashtua. E keni në raportin e njësisë së prokurimit dhe e keni pasur në tavolinë pasi në kontratën që kishte pasur me flotën detare kishte realizime të pakta dhe vlerësimi i flotës dhe ministrisë ishte që ajo kompani për shkak të performancës së keqe, të skualifikohej për kontratën e 2013”, tha Imami.

Ndërsa lidhur me raportin e KLSH-së, ministrja tha se 90% e tij ka të bëjë me dy kontrata për blerjen e helikopterëve në 2009. “ Zbatimi i kontratës është mbyllur sot që flasim me ardhjen e dy helikopterëve të kërkim-shpëtimit dhe sot që flasim diferenca mes produktit dhe pagesës është zero. Ju sjell në kujtesë 5 helikopterët ushtarakë, njëri prej tyre duhet të ishte helikopteri VIP me vlerë 15 milionë euro dhe ky pjesë e axhendës së prioriteteve të modernizimit të FA-ve. Një i tillë ekziston në flotën tonë, dhe VIP-at na janë pakësuar dhe brenda të njëjtës vlerë ne porsitëm dhe finalizuam pak ditë më parë blerjen e dy helikopetërve me përdorim ushtarak dhe kërkim shpëtim për civilët. Vlera e kontratës mbeti e njëjta, ajo është si amendim rimiratuar në Kuvend dhe dëmi është zero”, sqaroi Kodheli.

Ish kryeministri Berisha akuzoi ministren se nuk foli asnjë fjalë për dokumentin e planit afatgjatë të zhvillimit të FA-ve, ndërsa mbrojtjen si avokate duhet ta bëjë në prokurori.

“Të mos thotë një fjalë për dokumentin, ky është një ofendim shumë i madh për qytetarët shqiptarë. Është një qëndrim i padenjë. Doli të bëjë avokatinë e vetes së vet. Mund ta bënte këtë çdo kohë tjetër, por jo sot që paraqitet një dokument të cilin zonja e bën totalisht të pabesueshëm. Shqipëria është vidhisur nga pozicioni i pestë i plotësimit të kushteve të standardeve të Aleancës në pozicionin më të fundit në Aleancë”, tha kryeministri Berisha. Ai tha se e vetmja meritë e zonjës Kodheli në postin e saj është konfidenca me Edi Ramën në të gjitha “aferat e përfolura të bashkisë së Tiranës. Nuk është e rastit që këto afera transferohen nga bashkia te ministria e Mbrojtjes”, tha ish kryeministri Berisha.

Raporti i progresit, Balla: Konsensus për reformën në drejtësi. Paloka: Nuk shkohet me burg në Europë

Progresraporti ka qënë në fokus të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka. Teksa socialisti Taulant Balla kërkoi bashkëpunimin e opozitës për reformën në drejtësi, si prioriteti kryesor për hapjen e negociatave, Paloka tha se sot në Europë nuk shkohet me burg.

“Ky progres-raport është më i miri që Shqipëria ka marrë ndër vite. Kritika e vetme është për reformën në drejtësi, kritikë që lidhet me kohën dhe jo me mënyrën se si po bëhet. Në të gjithë sektorët e tejrë Shqipëria ka bërë progres, ka një vlerësim që thotë se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për anëtarësim. Raporti thotë se, në luftën kundër korrupsionit Shqipëria ka bërë përgatitje e po ashtu edhe në luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu jemi të përgatitur edhe sa i takon administratës publike dhe ekonomisë”, deklaroi Balla.

“Rezultati është një, jo hapjes së negociatave për Shqipërinë. Këtë nuk e ndryshon dot askush. Korrupsioni, krimi që janë futur deri në kupolën shtetërore, nuk e ndryshon dot askush këtë rezultat për fatin e keq tonin që jemi këtu dhe të gjithë shqiptarëve. Fajtori është vetëm një, ka emrin e Edvin Ramës që sot iu dha dhe sihariqin e fundit shqiptarëve, u riktheu ligjin e agjitacion dhe propagandës. Burg, burg, burg, në Europë nuk shkohet me burg. Burg për fjalën e lirë, burg për ata që s’kanë bukë të hanë”, tha nga ana tjetër Paloka.

Shpifja, Pollo: Pr/ligji nuk është konsultuar. Felaj: Është propozuar nga kryeministri

Rikthimi i dënimit me burgim për shpifjen është bërë pjesë debati në nisje të seancës kuvendore mes deputetit demokrat Genc Pollo dhe minsitres së Shtetit, Ermonela Felaj.

Deputeti demokrat Genc Pollo tha se janë shkelur procedurat për projektligjin, i cili është sjellë nga ministri i Shtetit dhe jo ministri përkatës i Drejtësisë.

“Në projektligjet që janë përfshirë në programin, siç mësuam nga faqja e Kuvendit është dhe ndryshimi i kodit penal i propozuar nga kryeminsitri, sipas të cilit dikush, politikan, gazetar apo thjesht qytetar, nëse pretendon se janë abuzuar me tendera mund të përfundojë me tre vjet burg. Këtë Kuvendi mund ta shqyrtojë po unë mendoj se janë shkelur procedurat, pasi nuk ka ardhur nga ministria e Drejtësisë, siç vjen gjithmonë kur ndryshon kodi penal, por nga ministri i Shtetit dhe nuk ka respektuar kërkesat e ligjit për konsultimin publik. Çdo akt zyrtar duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi të qartë me grupet e interesit. Ky projektligj është fshehur, dhe asnjë konsultim nuk është bërë as me shoqatë gazetarësh, as me të drejtat e njeriut e as me grupime të tjera”, tha Pollo.

Në përgjigje të tij, ministrja e Shtetit Ermonela Felaj tha se ndryshimet në Kodin Penal janë propozuar nga vetë kryeministri Edi Rama. Ajo tha se shpifja dhe fyerja ekzistojnë aktualisht si vepër penale në kodin penal, por që nuk e përmban dënimin me burgim.

“Si shpifja, si fyerja janë vepra që parashikohen në kodin tonë penal sot që po flasim. Në diskutimet e 2012 u propozua që këto vepra të hiqeshin, po debati që u zhvillua çoi vetëm në këtë lloj konsensusi, që nuk do ketë dënime me burgim si dënim kryesor, por vetëm dënimi me gjobë. Ju kujtoj që dënimi me gjobë në kodin penal nuk është dënim civil, por penal. Që do të thotë nëse gjoba nuk paguhet konvertohet në dënim me burgim. Sa i përket përmbajtjes së nenit të propozuar nga qeveria nuk ka qëllim të penalizojë njerëzit e zakonshëm dhe median, por ka për qëllim të sigurojë që ne të zgjedhurit në Kuvend të vendosim një marrëdhënie të re me të vërtetën, një standard të rregullt komunikimi me publikun”, tha Felaj.

Leave a Reply