Të nderuarit gjithnjë shoqërohen me të respektuarit

Do “myftilerë”, deri dje, gati e patën ngritur në idhull të tyre Sulejman Rexhepin, bënin gjithçka që u thoshte, gjithçka që dëshironte, e duartrokitën dhe e ndihmuan në punë të liga. I janë bindur dhe i janë drejtuar me respekt idhujtarie. Ndërsa për këtë, ajeti 17 i sures Et Teuve thotë: “ Nuk u takon idhujtarëve të përkujdesen për faltoret e Allahut… Të kota do të jenë veprat e tyre dhe në zjarrin e Xhehenemit do të qëndrojnë përgjithmonë.”


Nga Jasir Jashari

Nuk jam aq i moshuar që të di histori e relacione të ish-uzurpatorit të BFI-së, Sulejman Rexhepit, në raport me territorin e Myftinisë së Kumanovës por, hoxhallarët më te vjetër dëshmojnë se, Sulejman Rexhepi, përveç në territoin e Shkupit, gjithnjë ka kërkuar përkrahje dhe ka lëruar si në bahçe të babës së vet, edhe në territorin e Kumanovës. Bëhet fjalë për përkrahje institucionale se, ndryshe, hoxha gjithëkombëtar, i respektuar dhe i paharruar, Mulla Jakup Asipi, nga Slluçani i Kumanovës, gjithnjë i ka ndenjtur me grusht hundve! Por, institucionalisht, (nën vigjilencën e UDB-së) gjithnjë ka gëzuar përkrahje nga Kumanova, disi sikur, Myftininë e Shkupit dhe të Kumanovës e ka përdorur si koalicion për ngulfatjen e të gjitha përpjekjeve më të hershme për ta shprehur ndonjë pakënaqësi kundër Sulejman Rexhepit.
Jam shumë i lumtur që i përkas brezit aktual të Myftinisë së Kumanovës, të udhëhequr nga H. Abedin ef. Imeri, i cili, ndonëse ka pasur kujdes që mos të zbulohet nga “udb”-ja e Sulejman Rexhepit, ai kurrë nuk e ka dashur, nuk e ka respektuar dhe, gjithnjë ndër ndeja ka qenë kundër Mulla Sulës. Paj, brezi i ri i hoxhallarëve, përjashto ata të verbëtit dhe sahanëlëpirësit, asnjëri nuk ka pasur ndonjë repspekt të veçantë për Sulën.
Jam shumë i lumtur që Myftinia ime, respektivisht, Myftiu ynë, u rreshtua kundër Sulejman Rexhepit duke u bërë pjesë e atij forumi institucional që e shkarkoi uzurpatorin e BFI-së si dhe njeriun më të rrezikshëm të shqiptarisë bashkëkohore, Sulejman Rexhepin.
Pse jam i bindur se Myftiu ynë i Kumanovës organikisht nuk e ka duruar Sulejman Rexhepin? Kjo dëshmohet edhe me faktin që shqiptarët e territorit të Myftinisë së Kumanovës së fundmi u sensibilizuan nga kjo Myftini dhe nuk e kishin fort qejf Sulejman Rexhepin. Veç kësaj, jam dëshmitar i gjallë se Myftiu Abedin Imeri dhe stafi i tij, është kordinuar me oponentin e Sulejman Rexhepit, me strategun e Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI, H. Afrim ef. Tairin. Takimet, këshillat, sugjerimet, me efendi Tahirin kanë rezultuar me shpëtim të fytyrës së Myftinisë sonë por edhe me qëndrim indiferent të Myftinisë së Kumanovës karshi Sulejman Rexhepit i cili, si ftyrëzi, gjithnjë ka pasur dëshirë që t’ua nxijë fytyrën edhe “organeve” të tij!

Të nderuarit gjithnjë zgjedhin që të shoqërohen me të respektuarit.

Jam shumë i lumtur që, ndonëse shumë i ri, me kohë kam ditur të rreshtohem pas të nderuarve dhe të respektarve, si Shejh Afrim Tahiri me shokët e vet!
I lutem Zotit që përjetë të më ruajë nga mynafikët, nga hipokritët dhe nga të papenduarit. Këta janë ata që mundohet ta gënjejnë Zotin duke u shitur si grup që i ka këputur raportet me të keqen! Do me thënë – i kanë shërbyer shejtanit, kanë qenë “ushtria e shejtanit” dhe, tani, pa pendesë pulike, pretendojnë  “t’i shërbejnë” Zotit! Allahu Fuqiplotë thotë: “Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës” (El Huxhurat, 11), si dhe: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet”(Et Tahrim, 8)
Një pendim i përbashkët dhe publik i të gjithë këtyreve që ia kthyen shpinë Sulejman Rexhepit, është i domosdoshëm! Janë të gjithë hoxhallarë dhe, e dinë fare mirë që nuk guxojnë me aq lehtësi të shndërrohen në gënjeshtarë të Zotit. Është më se e vërtetë se, të gjithë këta, gati e ngritën në idhull Sulejman Rexhepin, kanë bërë gjithçka që u ka thën ai, gjithçka që ka dashur ai, e kanë duartrokitur dhe e kanë ndihmuar në punë të liga. I janë bindur dhe i janë drejtuar me respekt idhujtarie. Ndërsa për këtë, ajeti 17 i sures Et Teuve thotë: “Nuk u takon idhujtarëve të përkujdesen për faltoret e Allahut… Të kota do të jenë veprat e tyre dhe në zjarrin e Xhehenemit do të qëndrojnë përgjithmonë.”
Prandaj, fillimisht një pendesë publike për hirët të Alllahut xh.sh. e pastaj të pretendojnë se “e shpëtuan” Shtëpinë e Myslimanëve nga shejtani! Llokumat nuk po i ha më askush!

(Autori është anëtar i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Leave a Reply