Vazhdon rritja e rasteve me COVID-19 në Kosovë

Të premten, Kosova regjistroi 271 raste të reja me koronavirus, që paraqet rritje të rasteve, krahasuar me një ditë më herët kur u regjistruan 195 raste të reja.

Rastet e reja dolën pas testimit të 4.666 mostrave.

Në 24 orët paraprake janë shëruar edhe 15 pacientë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq, raste aktive janë 1.321.

Sipas raportit ditor, më së shumti raste janë shënuar në grupmoshën 20-29 vjeç, përkatësisht 73 raste.

Ndërkaq nga 0 deri në 9 vjeç janë infektuar 8 persona, ndërkaq, në grupmoshën 10-19 vjeç janë regjistruar 26 infektime.

Që prej 13 marsit të vitit 2020 deri më 6 gusht 2021, Kosova ka regjistruar gjithsej 109.310 raste me COVID, 2.270 viktima dhe 105.719 të shëruar.

Sa i përket testimeve, në 24 orët paraprake janë administruar 8.188 doza të vaksinës.

Që prej fundit të marsit të vitit 2021, kur nisi procesi i vaksinimit, në Kosovë janë administruar 478.084 doza të vaksinës, ku 165.190 persona janë vaksinuar plotësisht me të dy dozat.

Në Kosovë, qytetarët mund të zgjedhin nëse duan të vaksinohen me vaksinën AstraZeneca apo Pfizer.

Qeveria e Kosovës mëton që deri në fund të këtij viti të imunizojë kundër koronavirusit 60 për qind të popullatës.

Leave a Reply