Akuzohet se për fushatat mori miliona euro nga “Loreal” dhe Gadafi
65-vjeçari Nicolas Sarkozy po akuzohet për ryshfet dhe ndikim të paligjshëm mbi gjyqësorin dhe për këtë ai mund të dënohet me dhjetë vjet burg dhe një gjobë disa milionëshe. Sarkozy do të sillet para drejtësisë në gjykatën e Parisit së bashku me avokatin e tij të vjetër Thierry Herzog. Procesi pritet të zgjasë deri më 10 Dhjetor.
Një akuzë kaq e rëndë ndaj një ish-presidenti francez nuk ka patur kurrë, por nuk është hera e parë që akuzohet një ish-drejtues i Pallatit Elysée. Paraardhësi i Sarkozy në pushtet Jacques Chirac u dënua me dy vjet me kusht për përvetësim dhe shkelje të besimit gjatë kohës së tij si kryetar bashkie i Parisit. Por Shirakut nuk iu desh të paraqitej në gjykatë në atë kohë për shkak të problemeve shëndetësore.
Sarkozy do të shkojë në gjyq pasi e deklaroi veten thjesht luftarak dhe do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve. “Sarko” thuhet se në fillim të vitit 2014 u përpoq që përmes avokatit të tij të merrte nga avokati i Gjykatës së Kasacionit Azibert informacione sekrete për një çështje tjetër. Si kompensim ish-presidenti thuhet se i ka ofruar avokatit mbështetje në aplikimin e tij për një post në Principatën e Monakos.
Akuzat kundër Sarkozy bazohen në përdorimin e bisedave telefonike të përgjuara mes politikanit dhe avokatit. Megjithë problemet e tij ligjore Sarkozy nuk është njeri i padëshiruar në atdheun e tij. Përkundrazi kujtimet e tij me titull “Koha e Stuhive” u bënë bestseller në verë.
Në mesin e muajit Nëntor ai ishte në festën zyrtare në përkujtim të përfundimit e Luftës së Parë Botërore në Harkun e Triumfit në Paris, në krah të pasardhësit të tij François Hollande dhe presidentit aktual Emmanuel Macron. Në kampin e së djathtës duan që Sarkozy pavarësisht betejës ligjore të nisur të kthehet pasi republikanët janë ende duke kërkuar një kandidat për zgjedhjet presidenciale franceze, që do të mbahen pas një viti e gjysmë.