Prokurori i përgjithshëm i Arabisë Saudite ka deklaruar se të paktën 100 miliardë dollarë janë keqpërdoruar nga autoritetet vendase përmes një sistemi korrupsioni dhe përvetësimi parash në dekadat e fundit.
Zyrtari i lartë nuk përmendi asnjë emër, por mes personave të dyshuar rezultojnë princër, ministra dhe biznesmenë influentë.
“Provat për këtë keqpërdorim janë shumë të forta”, tha sheiku Mojeb, i cili thkesoi se aktiviteti tregtar normal në mbretëri nuk ishte prekur nga kjo veprimtari ilegale dhe se vetëm llogaritë bankare të të ndaluarve janë ngrirë.
Kryeprokurori tha gjithashtu se hetimet nga komiteti i ri antikorrupsion, që drejtohet nga princi 32-vjeçar i kurorës Mohammed Bin Salman, po ecin me ritme të shpejta.
Ai njoftoi se 208 individë ishin thirrur për t’u marrë në pyetje, 7 prej të cilëve ishin liruar pa u akuzuar.
“Potenciali i këtyre praktikave korruptive që janë zbuluar është shumë i madh. Në bazë të hetimeve tona në tre vitet e fundit, vlerësojmë se të paktën 100 miliardë dollarë janë keqpërdorur dhe janë përvetësuar në dekada”, tha prokurori i përgjithshëm.