2 deputetë të rinj në Kuvend, KQZ zëvendëson Rakipin e Rehovicën

Dy deputetë të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët do të marrin mandatin sot nga KQZ.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për t’i dhënë mandatin dy deputetëve të rinj nga LSI dhe PDIU që zëvendësojnë Gledjon Rehovicën dhe Aqif Rakipin, të cilëve iu hoq mandati në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

 

Kështu mësohet se deputeti më i ri nga radhët e PDIU-së do të jetë, Dritan Bici, ish-kryebashkiak i Gramshit. Në listën e LSI-së në Qarkun e Beratit pas Rahovicës renditet Silva Caka, e cila pritet të marrë sot mandatin si deputete dhe të rifutet në Kuvendin e Shqipërisë.

Ky është mandati i dytë për deputeten e re të LSI-së. Në zgjedhjet e 25 qershorit ajo nuk arriti të futej direkt në parlament. Ndërsa në legjislaturën 2013-2017 ishte pjesë e Kuvendit të Shqipërisë dhe një prej deputeteve më aktive të grupit parlamentar të LSI.

RENDI I DITËS
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e hënë, më datë 15.01.2018, ora 12:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:

Shqyrtimi i projekt vendimit:
1.Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të listës shumëmërore të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në qarkun Elbasan, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

2.Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kandidatit të listës shumëmërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në qarkun Berat, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

3.Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatëve nga listat shumëmërore për këshillat bashkiak në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

4.Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatit të listës shumëmërore Z. Florenc Xhindi, për këshillin bashkiak në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Leave a Reply