Kryefjala e 300 ditëve të treta të qeverisë “Rama” do të jetë informaliteti. Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryeministri paralajmëroi se aksioni kundër abuzuesve nuk do të ndalet derisa të arrihet qëllimi; formalizimi i ekonomisë.
Në aksionin e paralajmëruar për të nisur më 1 shtator, do të angazhohen 600 grupe pune dhe një sërë strukturash shtetërore, përfshirë këtu Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë.
“Lufta ndaj informalitetit do të jetë kryefjala e 300 ditëshit të tretë qeverisës dhe do të harmonizojë veprimet mes doganave, tatimeve, Inspektoriatit të Punës dhe Policisë së Shtetit, në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorinë, konsumatorët dhe biznesin”, deklaroi Rama.
Për nga mënyra e zhvillimit, aksioni do të jetë i ngjashëm me të tjerët që ka ndërmarrë qeveria deri më tani.
“Kemi një plan të mirëstudiuar për t’iu përgjigjur me efektshmëri dhe qëndrueshmëri afatgjatë në fitoren e kësaj sfide. Operacion do të jetë i ngjashëm në thelb dhe në efekt me atë të energjisë, mbrojtjes së territorit, ndarjes në sistemin e arsimit mes atyre që ushtrojnë aktivitet të ligjshëm si subjekte private dhe atyre që deri dje e kishin kthyer sistemin në një hapësirë abuzimi dhe tregtie me diplomat”, tha Rama.
Qeveria beson se thuajse gjysma bizneseve janë informalë, ndaj kryeministri u kujdes të theksojë se lufta kundër informalitetit nuk duhet parë si një goditje për biznesin e ndershëm, përkundrazi.
“Është një aksion për të bërë të mundur që më të mëdhenjtë të veprojnë brenda kornizës së ligjit dhe gjithkush të fitojë atë që i takon dhe jo të përfitojë duke vjedhur atë që i takon shoqërisë, e cila duhat ta marrë mbrapsht përmes investimeve dhe shërbimeve të shtetit”, u shpreh kryeministri.
Kreu i Qeverisë u bëri thirrje konsumatorëve të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë kuponin tatimor, si një kontribut për të patur më shumë investime dhe rritje rroga.
Edhe pse aksioni ende nuk ka nisur, të paktën zyrtarisht, thirrjeve të qeverisë për t’u formalizuar në të kundërt do të përballen me penalitete të ashpra, u janë bashkuar mijëra biznese vetëm në dy muajt e fundit.
“Po të shikoni të dhënat, në korrik-gusht kemi një rritje krejtësisht të pazakontë të numrit të bizneseve të regjistruara dhe po ashtu një rritje shumë të pazakontë të numrit të kasave fiskale të blera për t’u formalizuar”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë u bëri thirrje konsumatorëve të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë kuponin tatimor, si një kontribut për të patur më shumë investime, më shumë rritje rrogash dhe taksa më të ulta.
Kryeministri mbylli fjalën e tij me një shprehje të Oliver Wendell Holmes. “Taksat janë cmimi që ne paguajmë për të blerë qytetërimin tonë”, tha ai.