Raporti i zbulimit ushtarak tregon se 1075 emigrantë shqiptarë kaluan me gomone 6 muajt e fundit
Një raport i zbulimit ushtarak britanik zbulon se rreth 40% e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë kanalin e “La Mansh-it”, që ndan pjesën kontinentale të Europës nga Britania e Madhe, janë nga Shqipëria, një vend i pashkatërruar nga lufta e që nuk po vuan as një varfëri ekstreme, komenton gazeta DailyMail.
Të dhënat tregojnë se rreth 1075 emigrantë kaluan me gomone 6 muajt e fundit, ndërsa vitin e kaluar 757 vetë. Grupet e trafikantëve sipas raportit, blejnë gomone të mëdha nga Kina në mënyrë që të transportojnë sa më shumë emigrantë në bord.
Për ekspertët e sigurisë, kalimet e paligjshme të kanalit po nxiten në rrjetet sociale, me kontrabandistët që reklamojnë shërbimet e tyre në TikTok. Nga rrjetet sociale mësohet se çmimi për person për të kaluar kanalin arrin deri në 5,500 paund.
Qeveria shqiptare është e angazhuar për ta zgjidhur fenomenin dhe një oficer ndërlidhës i policisë shqiptare do të vendoset në Dover për të ndihmuar në trajtimin e problemit në rritje.
Në shtatë vitet e fundit, qeveria britanike ka shpenzuar gati gjysmë miliardë paund për të parandaluar kalimin e emigrantëve të paligjshëm. Fonde të shumta i janë dorëzuar qeverisë franceze në një përpjekje për të parandaluar azilkërkuesit që të largohen nga brigjet e tyre.
Sekretarja e Brendshme Priti Patel pritet të shpallë së shpejti një paketë të re financimi me vlerë dhjetëra miliona paund për autoritetet franceze në mënyrë që ato të shtojnë patrullimin në plazhe dhe të angazhojnë më shumë pajisje vëzhgimi.