Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, u zhvillua një ceremoni me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të OKB-së dhe politikanëve të lartë të vendit.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati radhiti një sërë sfidash që kërcënojnë sot sigurinë globale e për të cilat kërkoi më shumë angazhim nga kjo organizatë.
“Terrorizmi, refugjatët, ndryshimet klimatike janë sot sfidat e OKB që për shkak të globalizmit ndjehen më afër sot. Krizat në Siri, Irak dhe Libi kanë treguar që lufta kundër terrorizmit nuk mund të ketë sukses vetëm me ndërhyrjen ushtarake pa u shoqëruar me një proces demokratik të qëndrueshëm”, tha Bushati.
Kryediplomati shqiptar tha se vendi ynë mbetet i angazhuar për të dhënë ndihmën e vet në kuadër të misioneve paqeruajtëse të OKB-së në mbarë botën. Ai përmendi anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut si një sukses të qartë të politikës së jashtme.
Duke u ndalur tek UNESCO, Bushati u shpreh se vendi ynë mbetet i palëkundur në vijimin e bashkëpunimit me të, ndërsa duke u ndalur tek Kosova tha se anëtarësimi i saj në këtë organizatë të OKB-së, i jep një tjetër hov procesit të normalizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në rajonin tonë.