Bilanci i viktimave ka arritur në tre, autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë pasi përmbytjet mund të avancojnë
Ekipet e shpëtimit në Japoni po vijojnë kërkimet për të gjetur të mbijetuar pas rrëshqitjeve të tokës nëpër qytetin bregdetar të Atami.
Numri zyrtar i të vdekurve në Jugperëndim të Tokios, ka arritur në tre, ndërsa numri i të zhdukurve ka shkuar në 80. Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan rrëshqitjen më të fuqishme të viteve të fundit.
Përmbytjet masive kanë sjellë dëme të konsiderueshme materiale duke shkatërruar qindra shtëpi e duke marrë me vetë çdo gjë përreth. Aktualisht autoritetet e kërkim-shpëtimit kanë arritur që të evakuojnë mbi 1500 persona. Atami ka tre qendra evakuimi ku dy hotele private po strehojnë 562 njerëz.
Kryeministri i Japonisë u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë, duke vënë në dukje se toka është dobësuar dhe madje edhe shiu i lehtë mund të rezultojë i rrezikshëm.
Japonia është e prirur ndaj rrëshqitjeve të tokës, mesatarisht deri në 1,500 rrëshqitje të tokave në vit në dekadën e kaluar, një rritje gati 50% krahasuar me 10 vitet e mëparshme. Fatkeqësitë e përmbytjeve, si rrëshqitjet e tokës, janë një rrezik serioz për vendin. Kjo është për shkak se gjysma e popullsisë japoneze dhe 75% e pasurive të vendit janë përqendruar në zonat e prirura nga përmbytjet.