Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që më 29 maj të mbahet seanca ku do të votohen amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale.
Në këtë seancë pritet të miratohet edhe ligji për Gjykatën Speciale.
Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare kishin për herë të parë para vetes propozim-ndryshimet kushtetuese që do t’i votojnë në Kuvend. Për këtë të fundit, duhen votat e dy të tretave të deputetëve.
Krahas ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi duhet të miratojë edhe ligjin për Gjykatën Speciale të krimeve të luftës, për të zyrtarizuar formimin e kësaj gjykate.
Mësohet se, krerët më të lartë të shtetit kanë diskutuar për formën e miratimit të amendamenteve kushtetuese dhe ligjit në një seancë të vetme, edhe pse për këtë çështje ka paqartësi procedurale, pasi Kuvendi nuk mund të shqyrtojë një ligj për Gjykatën Speciale, derisa nuk ndryshohet Kushtetuta, që ta lejojë krijimin e saj.