Policia e Tiranës ka vënë në pranga 11 persona për armëmbajtje pa leje. Operacioni ka nisur në rang qarku, duke zhvilluar kontrolle të vazhdueshme.
Policia ka sekuestruar pas operacionit 10-ditor, 5 pushkë, 3 pistoleta, 1 automatik, një dorezë metalike, një thikë dhe 1457 fishekë, si dhe një sasi kapsollash detonatore dhe kallëp dinamiti.
Aksioni do të vijojë dhe në ditët e ardhshme. Vetëm një ditë më parë, policia ka vënë në pranga dy persona. Pas një konflikti të ashpër në familje janë dëgjuar të shtëna me armë në një shtëpi në Tiranë. Policia arrestoi në flagrancë Artan Gjoka, 28 vjeç, si dhe ka nisur hetim penal në gjendje të lirë për të atin, Xh. Gjoka, 78 vjeç.
Policia gjeti tre gëzhoja arme model 7.62 mm në vendin e ngjarjes. Gjatë kontrollit në stallën e bagëtive u gjetën 1020 fishekë dhe në fund të arës një armë zjarri kallashnikov, në krehërin e së cilës ndodheshin 17 fishekë.
Ndërkaq, në flagrancë është arrestuar edhe 20-vjeçari Aldo Dulleari. Pas një konflikti me një tjetër person, Dulellari kishte qëlluar me armë në drejtim të lavazhit të L. A dhe është larguar sërish. Në vendin e ngjarjes u gjet një predhë arme zjarri, ndërsa u sekuestrua një pushkë 10-tshe dhe 7 fishekë.