Maqedoni, kriza politike pritet të shkaktojë pasoja të rënda mbi ekonominë

Kriza politike dhe situata e sigurisë në Maqedoni priten që, së shpejti të japin efektet e para negative në ekonominë e vendit.
Biznesmenët dhe ekspertët e fushës, tashmë kanë paralajmëruar pushtetin për pasojat fatale mbi ekonominë e vendit, në rast se zvarritet zgjidhja e krizës.

Në prag të hapjes së sezonit turistik, bëhet e ditur se turistët e huaj kanë filluar të anulojnë rezervimet, që kishin bërë në hotelet në qytetin e Ohrit dhe atë të Strugës.

Pas ngjarjeve të Kumanovës mësohet se ka rënë ndjeshëm numri i turistëve, që kanë bërë rezervime gjatë ditëve të fundit.

Përveç pasojave të rënda mbi turizmin, ekspertët paralajmërojnë se, shumë shpejt, efektet do të ndihen edhe në rënien e investimeve të huaja dhe uljen e konsumit personal.

Përfaqësuesit e tri dhomave të tregtisë në vend kanë bërë thirrje ndaj përfaqësuesve politikë për zgjidhje sa më të shpejtë të krizës politike, për të shpëtuar ekonominë e vendit, që sipas tyre po rrezikon të falimentojë.

Për komunitetin e biznesit, shqetësim përbëjnë edhe paralajmërimet se, gjatë pushimeve verore shumë shtetas që kthehen nga mërgimi, të cilët mbushin një pjesë të buxhetit, mund të mos kthehen në Maqedoni.

Për pasojat e rënda, që pritet të sjellë kriza politike mbi ekonominë e vendit, ditë më parë ka folur edhe vetë ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri. Ai tha se, institucionet ende nuk i kanë evidentuar efektet negative, por – sipas tij – nëse situata nuk stabilizohet, ekonomia e vendit do të përballet me probleme serioze.

 

Leave a Reply