Policitë e Shtetit të Shqipërisë dhe Greqisë kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.
Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako është takuar të premten në Janinë me homologun e tij grek, Dimitros Tsaknakis. Ky i fundit shprehu vendosmërinë e shtetit grek për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Z. Çako tha se policinë nuk e dallon dhe e ndan as gjuha apo shtetësia. “Policia ka një gjuhë dhe një shtetësi , ligjin. Shërbim për të siguruar rendin dhe të lufotjë krimin. Këto parime i bashkojnë punonjësit e policisë në çdo cep të globit”, është shprehur Çako.
Palët ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit për parandalimin e migracionit ilegal dhe luftës ndaj krimit ndërkufitar. Pikë tjetër ishte dhe rritja dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e krimit të organizuar, trafikut të drogave dhe trafikimit të qënieve njerëzore.
Gjithashtu u ra dakord për rritjen e shkëmbimit të i informacioneve për personat në kërkim, krimet e rënda dhe aktet teroriste. E fundit, u ra dakord për zhvillimin e operacioneve të përbashkëta me policinë greke në fushën e trafiqeve të paligjshme, si dhe të punohet për finalizimin sa më shpejt të Draft-Marrëveshjes me Greqinë për ngritjen dhe funksionimin e Qendrës së Përbashkët të Bashkëpunimit Policor në Kakavijë.
Këtij takimi i ka paraprirë ai i zhvilluar në Sarandë mes drejtorëve të përgjithshëm të kufirit dhe migracionit të Shqipërisë dhe Greqisë, përkatësisht, Genc Merepeza dhe Zacharula Tsirigoti.