Rusia ka vendosur ndalimin e hyrjes së 89 politikanëve europianë apo udhëheqës ushtarakë, sipas një liste të siguruar dhe të publikuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, një lëvizje kjo që ka irrituar Europën, apo më saktë ka përkeqësuar situatën e saj me Perëndimin, që e akuzon Moskën për rolin në konfliktin e Ukrainës lindore.
Lista, e cila është hartuar nga ministri i Jashtëm rus dhe që i është dorëzuar një delegacioni të Bashkimit Europian në Moskë, këtë javë, përfshin kritikë të shquar të Rusisë, ashtu sikurse edhe zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të kundërzbulimit. Një listë e ngjashme ekziston edhe për shtetas amerikanë, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme për mediet ruse.
Që kur Rusia aneksi Krimenë në mars të vitit 2014, Bashkimi Europian ka vendosur sanksione ekonomike, ka ndaluar hyrjen në vendet e BE-së dhe ka ngrirë asetet financiare të dhjetëra shtetasve rusë dhe ukrainas (prorusë) por edhe organizatave të ndryshme.
Moska mohon akuzat e Perëndimit, se ka mbështetur separatistët prorusë në betejën e tyre kundër forcave qeveritare në Ukrainë, gjatë një konflikti që ka marrë deri më sot rreth 6200 jetë njerëzish.
Një zëdhënëse e Politikës së Jashtme të BE-së tha se, gjatë muajve të fundit Rusia u ka ndaluar hyrjen një sërë politikanëve europianë. “E konsiderojmë këtë masë si totalisht arbitrare dhe të pajustifikueshme, veçanërisht në mungesë të një sqarimi shoqërues apo transparent”, tha ajo.
Ndërkohë, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Britanisë, apo “Foreign Office”, shtoi se nuk është dhënë asnjë justifikim për ndalimin e udhëtimit. “Nëse synimi i Rusisë është të ushtrojë presion ndaj BE-së, që kjo e fundit të lehtësojë sanksionet, atëherë kjo nuk është rruga e duhur që kanë zgjedhur”, tha ajo.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse ka konfirmuar për mediet ruse se lista e individëve, të cilëve iu është ndaluar udhëtimi në Rusi i është dorëzuar shteteve të BE-së, por refuzoi të komentonte mbi emrat e tyre.
“Përgjigjja ndaj kërkesave të disa shteteve europiane, se pse janë pikërisht këta njerëz të përfshirë në këtë listë, është e thjeshtë. Lista është hartuar si kundërpërgjigje ndaj fushatës së sanksioneve, të cilat janë vendosur ndaj Rusisë prej disa shteteve të BE-së, të kryesuara nga Gjermania”, tha një zyrtar në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve “Itar-TASS”. “Një listë analoge ekziston edhe për shtetas amerikane, gjithsesi dikush duhet ta theksojë se në këtë rast, amerikanët janë duke u sjellë më konstruktivisht sesa europianët”, shtoi ai.
Mes atyre në listë është Uwe Corsepius, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të BE-së në Bruksel, i cili do të marrë rolin e këshilltarit të punëve të jashtme të Kancelares gjermane, Angela Merkel. Gjithashtu edhe Bruno Le Rous, kreu i socialistëve të Presidentit Francois Hollande në Parlament, ish-zëvendëskryeministri britanik, Nick Clegg, si dhe ish-kryeministri belg, Guy Verhofstadt, i cili kryeson grupin liberal në Parlamentin Europian. Mësohet se vç tyre janë edhe filozofi francez Bernard-Henri Levy, si dhe ish-Komisioneri europian i Zgjerimit, Stefan Fule. Nga Polonia janë 18 emra në listë, ndërkohë që është edhe një deputet konservator gjerman, Karl-Georg Ëellmann. Zyrtarë të tjerë janë nga Letonia, Lituania, Estonia, Danimarka, Finlanda, Suedia, Çekia, Rumania, Bullgaria dhe Spanja.