Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, gjatë një vizite në Ministrinë e Arsimit, mesditën e së martës, ka deklaruar se Greqia ka paraqitur tek kreditorët e saj një plan-propozim realist e të plotë të reformave për shqyrtim dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve europianë ta pranojnë atë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e shumëpritur mbi borxhet e vendit.
Propozimi i qeverisë greke thuhet se është dorëzuar të hënën në mbrëmje, ndërsa në Berlin zhvilloheshin bisedimet për Greqinë midis kryetares së FMN-së, Christine Lagarde; Presidentit të KE-së, Jean-Claude Junkcer; kreut të BQE-së, Mario Draghi; Kancelares gjermane, Angela Merkel; si dhe Presidentit francez, Francois Hollande.
“Ne nuk presim që ata të paraqesin një propozim në përputhje me vendimin e Eurogrupit. Greqia po dorëzon një plan. Tashmë është e qartë se, nëse ata duan të përshtaten me realitetin dhe daljen nga kriza pa një ndarje të Europës, vendimi i mbetet udhëheqjes politike të Europës, atyre që zgjidhen dhe japin llogari ndaj popujve për vendimet e tyre”, tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
Me këtë lëvizje, kryeministri Tsipras, i cili ka kërkuar prej kohësh një zgjidhje politike për t’u dhënë fund negociatave dhe për të siguruar këstin e fundit të ndihmës, duke dalë nga asfiksia financiare, hedh përsëri topin në fushën e partnerëve të Greqisë. Me gjithë presionin e madh të kreditorëve për më shumë reforma shtrënguese në këmbim të parave, Tsipras duket se nuk lëviz nga vijat e kuqe të premtimeve të tij paraelektorale, sidomos përsa u përket marrëdhënieve të punësimit dhe reduktimit të pagave dhe pensioneve.
“Kemi bërë lëshime, sepse një kompromis kërkon lëshime. Ne e dimë se, këto lëshime do të jenë të vështira, por ne kemi paraqitur një plan realist për daljen e Greqisë nga kriza. Një plan realist, pranimi i të cilit nga institucionet, huadhënësit tanë dhe partnerët tanë europiane, do të shënojë fundin e skenarit të ndarjeve në Europë”, tha Aleksis Tsipras.
Athina duhet të paguajë ditën e premte plot 300 milionë euro ndaj FMN-së, kësti i parë i një shume prej 1.56 miliardë euro, që duhet të shlyejë deri në fund të muajit, e për të cilin ekziston frika se nuk ka fondet e nevojshme për ta paguar, megjithëse deri tani nuk ka bërë një njoftim të tillë.
Dështimi për të arritur një marrëveshje gjatë këtij muaji mund të shkaktojë një falimentim të Greqisë dhe të çojë në vendosjen e kontrolleve të kapitalit dhe një dalje të mundshme nga Eurozona, një ngjarje që sipas analistëve, do të kishte pasoja katastrofike për të gjithë.