Norvegjia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo u bë e qartë gjatë vizitës, që zëvendëskryeministri kosovar, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian po zhvillojnë në vendin skandinav.
Sipas një komunikate për mediet, Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, pati një drekë pune me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Borge Brende, dhe ekipin e tij. Ata diskutuan shumë çështje, që ndërlidhen me progresin në Kosovë dhe rajon, si dhe sfidat globale, si lufta kundër ekstremizmit.
“Norvegjia, prej vitesh i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë ndihmë masive dhe mbështetje politike Republikës së Kosovës. U pajtuam për veprime të përbashkëta në fusha të ndryshme, me theks të posaçëm në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Thaçi.
Gjithashtu, Thaçi pati një takim edhe në Parlamentin norvegjez “Stortinget”, ku u takua me deputetë të Komisionit për Punët e Jashtme dhe Komisionit të Mbrojtjes, të cilët parashtruan pyetje të shumta për gjendjen në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Zëvendëskryeministri Thaçi diskutoi me ekspertë norvegjezë edhe për çështje kryesore në Kosovë, Ballkan dhe më gjerë. Ai theksoi rolin pozitiv të Kosovës në arritjen e progresit në Ballkan.