Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kanë mbajtur paraditen e së premtes një deklaratë të përbashkët për shtyp, në të cilën kanë folur për fushatën elektorale dhe pritshmëritë e tyre nga zgjedhjet e 21 Qershorit.
Kryeministri Rama, në fjalën e tij, ka nënvizuar se kjo ka qenë fushata më e qetë, në të cilën nuk janë përfshirë për herë të parë, sipas tij, punonjësit e administratës për të mbushur sheshet e mitingjeve.
“Këto janë zgjedhjet më të pandikuara nga pushteti. Gjatë fushatës nuk është mbyllur asnjë shkollë dhe nuk ka pasur asnjë urdhër që nxënësit dhe mësuesit të mbushin sheshin. Edhe administrata e shtetit, në asnjë rast, është vendosur në shesh për të qenë e pranishme në mitingje. Po ashtu, edhe ushtria shqiptare nuk është përfshirë në asnjë fushatë si në zgjedhjet e kaluara”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se në këtë fushatë nuk është prekur as buxheti i shtetit, që sipas tij, në zgjedhjet e kaluara ishte kthyer në një gropë borxhesh për shkak të qëllimeve elektorale.
“Shpenzimet nga buxheti nuk u frynë e as u deformuan për shkak të fushatës. Një shqetësim ky i krijuar në të shkuarën, kur për shkak të gropave që hapeshin për shkaqe elektorale u krijua një gropë e madhe borxhesh”, ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se, edhe OSHEE gjatë kësaj kohe ka vijuar punën dhe aktivitetin e saj si një kompani që nuk është pjesë e fushatës. Sa u përket konstatimeve për përfshirje të fëmijëve në evente elektorale, shefi i qeverisë ka dhënë këtë sqarim:
“Konstatimet se fëmijët përdoren për fushatë nuk qëndron, sepse nuk di ndonjë metodë se si mund të rrethohen vendet ku zhvillohet fushata dhe të pengojnë fëmijët të bashkohen me një turmë njerëzish në mitingjet elektorale, apo në sheshet e qyteteve të vogla, ku mblidhen të gjithë. Nuk ka përdorim të fëmijëve në fushatë. Është thjesht një përzgjedhje e natyrshme për një aktivitet dhe e pashmangshme. Gjithashtu, nuk mund të ndalosh të rinjtë që të veshin një bluzë me LSI-në apo PS-në”, ka thënë Rama.
Ndërsa lidhur me blerjen e votave, ai ka thënë se, “kemi vetëm një konstatim konkret, ai nga ana e kryetarit të Bashkisë së Vorës”, ka shtuar Rama.
Nga ana e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se kjo ishte një “fushatë e qetë dhe e kulturuar”.
Meta ka bërë thirrje edhe për pjesëmarrje masive nga të gjithë qytetarët: “Pjesëmarrja është e domosdoshme, në mënyrë që askujt të mos i mbetet merak që nuk u bë pjesë e këtij momenti historik. Ai që nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet në të ardhmen”.
“Është e rendësishme që të gjithë të votojnë në mënyrë të lirë, të gjithë vëzhguesit e komisionerët të garantojnë proces normal dhe qytetarët të denoncojnë çdo lloj presioni apo tentativë për blerje vote”, ka deklaruar Meta.
Kreu i LSI-së ka shtuar se për Aleancën për Shqipërinë Europiane ka rëndësi standardi i zgjedhjeve, jo rezultati. “Përpjekjet për të inskenuar incidente janë të dështuara. I bëjmë thirrje votuesve tanë që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e ngjarjeve të fabrikuara”, tha Meta.
Ndërsa duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi pritshmëritë e tyre nga këto zgjedhje, liderët e ASHE kanë dhënë këto përgjigje:
“Nuk ka rëndësi se kush fiton. Le t’i marrë opozita të 61 bashkitë, për ne ka rëndësi standardi”, ka thënë Meta.
“Janë kushtet për zgjedhje të mira, pavarësisht defekteve që rezultojnë në çdo vent të botës. Me rëndësi është pjesëmarrja. Ne kemi pasur takime me komisionerët tanë për të garantuar integritetin e zgjedhjeve. Integriteti i zgjedhjeve për ne ka rëndësi themelore dhe për afrimin me BE nuk ka rëndësi se kush fiton më shumë bashki apo këshilltarë, por të fitojmë një standard të ri zgjedhjesh”, ka thënë Rama.