Duke cituar kërcënimet në rritje nga Kina dhe Rusia, Pentagoni pretendon një rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake për vitin 2019 dhe i kërkoi Kongresit që të miratojë një buxhet prej 686 miliardë dollarësh, një prej më të mëdhenjve në historinë amerikane.
Njëkohësisht me rritjen e shpenzimeve për ushtrinë, buxheti i propozuar i administratës Trump përfshin shkurtime të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare dhe ndihmën jashtë vendit. Duke e vlerësuar propozimin, Presidenti Trump tha se ushtria amerikane do të jetë më e fortë se kurrë, duke rritur virtualisht arsenalin e çdo arme. Buxheti i ri për ushtrinë vjen me një rritje prej 80 miliardë dollarësh në krahasim me atë të vitit 2017 dhe sipas Pentagonit, fondet shtesë duhen për t’u përballur me rusët dhe kinezët.
Zyrtarë të Pentagonit thanë se sfida kryesore për sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-së nuk është më terrorizmi, por konkurrenca mes fuqive të mëdha. Dokumenti i buxhetit të propozuar thotë se është gjithnjë e më e qartë që Rusia dhe Kina duan të krijojnë një botë sipas modelit të tyre autoritar, duke marrë kontrollin e vendimeve ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë të vendeve të tjera, diçka që nuk duhet lejuar.
Buxheti i propozuar parashikon raketa, avionë dhe anije të reja që do t’i shtohen ushtrisë, ndërsa Presidenti Trump e justifikoi këtë rritje ushtarake me faktin se SHBA është e detyruar, pasi edhe të tjerët po bëjnë të njëjtën gjë.