Xhuliano Malo, 17-vjeçari nga fshati Lazarat, u la të shtunën në masën “arrest me burg” për 4 akuza, më e rënda prej të cilave ajo e “vrasjes së efektivit të policisë” Ibrahim Basha, “e kryer në bashkëpunim”.
Adoleshenti akuzohet po ashtu edhe për “vrasje të mbetur në tentativë” ndaj efektivëve të tjerë që ndodheshin në automjet, “prodhim dhe mbajtje municionesh” dhe “prodhim e shitje narkotikesh”.
Në seancën gjyqësore tek Krimet e Rënda, Malo ka thënë vetëm një fjali para gjyqtares Flora Hajredinaj: “I qëndroj gjithçkaje që kam thënë në polici pas arrestimit”.
Ndërsa avokati i tij ka kërkuar mëshirën e gjykatës me argumentin se, i akuzuari është i mitur dhe se nuk ka qenë në grupin nga është qëlluar, por është kapur disa metra më tej, teksa po transportonte municione.
Ndërkohë, për të njëjtat vepra penale do të dalin para gjykatës edhe 3 të ndaluar të tjerë, të dyshuar se janë pjesë e grupit që ka qëlluar në drejtim të policisë mëngjesin e së mërkurës ku efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën.
Ata janë Klodian Selimi, 19 vjeç; Dervish Gaba, 20 vjeç dhe Elvis Boci, 19 vjeç. Forcat speciale të RENEA-s dhe FNSH-së vijojnë kontrollet në fshatin Lazarat për të arrestuar edhe tre më të kërkuarit e këtij grupi, dy vëllezërit Aliko dhe shokun e tyre Bervin Basha, të dyshuar si organizatorët e sulmit me armë zjarri ndaj Policisë së Shtetit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se, nga hetimet e deritanishme rezuton se këta të rinj, banorë të fshatit jugor, ishin pjesë e një grupi të armatosur i cili prej gjashtë muajsh kishte nisur përgatitjet për të sulmuar policinë, me qëllim rikthimin e gjendjes së mëparshme në fshat, për të krijuar mundësinë e kultivimit të kanabisit.