Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ka mobilizuar të gjitha autoritetet e sigurisë, në mënyrë që të shmangin çdo sulm të mundshëm terrorist. Agjencitë e intelegjencës kanë shpërndarë njoftimin zyrtar, duke u kërkuar të gjithëve të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë.
Arsyeja kryesore për gjithë këtë frikë është ISIS. Drejtori i FBI-së, James Comey ka thënë se nuk ka asnjë kërcënim, por sulmet e këtij grupi terrorist janë bërë të paparashikuara.
Sipas tij, gjithmonë ekziston rreziku që këta të shfrytëzojnë data të rëndësishme, si 4 Korriku, në mënyrë që të bëjnë sulme me pasoja të mëdha në njerëz, duke qenë se festimet kulmojnë në sheshet kryesore me lëshimin e fishekzjarrëve.
Comey gjithashtu është shprehur se këtë vit, masat e sigurisë ndryshojnë nga çdo vit tjetër, pasi edhe metodat e sulmeve kanë ndryshuar. Sipas tij, tashmë nuk ka nevojë që dikush nga jashtë SHBA-ve të vijë dhe të bëjë një sulm, pasi me zhvillimin e teknologjisë ata arrijnë të rekrutojnë të rinj përmes rrjeteve sociale.
“Këtë vit është shumë ndryshe nga vitet e kaluara. Nëse më parë e kemi pasur një sy tek hyrje-daljet, tani ISIS ka gjetur metoda të tjera të rekrutimit të të rinjve. Ata përdorin rrjetet sociale ose mënyra të tjera online, për të bindur dikë që të bëjë një sulm”, është shprehur Comey, drejtor i FBI-së.