Numri i kosovarëve që po i dhënë fund beqarisë po shkon duke u ulur me kalimin e viteve. Prej mbi 18 mijë kurorëzimeve sa ishin regjistruar në Kosovë para tetë viteve, tani numri i tyre ka rënë në 17 mijë. Sociologët thonë se një trend negativ i kurorëzimeve ka tendencë të vazhdoj edhe më tutje.
Për Blertën dhe Artin nga Prishtina, 16 gushti i 2017-ës do të mbetet datë e paharruar. Në po këtë ditë, ata kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë. Njejtë sikur ata bën edhe 17 mijë e 112 qifte të tjera. Aq është numri i kurorëzimeve që janë regjistruar në Kosovë gjatë vitit 2017, shkruan Gazeta Express.
“Sipas të dhënave të të kurorëzuarve që si vendbanim të përhershëm kishin Kosovën dhe ishin kurorëzuar në Kosove ishin 17112 të kurorëzuar apo 95 përqind, ndërsa jashtë Kosovës e që si vendbanim të përhershëm kishin Kosovën janë regjistruar 849 të kurorëzuar apo 4.9 përqind.”
Kështu thuhet në raportin “Statistikat e kurorëzimeve 2017”, që ka publikuar ditë më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Në bazë të këtij raporti për nga numri i martesave, Komuna e Prizrenit e zë vendin e parë, pasuar nga Prishtina e Ferizaj.
Vetëm në këto tri qytete 4 mijë e 61 qifte i kanë dhënë fund beqarisë gjatë vitit të kaluar.
“Komuna e Prizreni zë vendin e parë në Kosovë me 1594 apo 8,6% kurorëzime sipas vendbanimit të përbashkët të bashkëshortëve, pastaj vjen Prishtina 1420 apo 7.6% ndërsa në vendin e tretë gjendet Ferizaj me 1047 apo 5.6% etj”, thuhet në raportin e ASK-së.
Mosha mesatare e qifteve të martuara është 30 vjeç. Sociologët thonë se krahasuar me vendet e tjera, kosovarët kanë një moshë të re të hyrjes në martesë. Ndërsa, sa i përket nivelit të shkollimit, sikurse te djemtë ashtu edhe te vajzat dominon shkolla e mesme.
“Numri i meshkujve me shkollë të mesme është 71.4 %, ndërsa e femrave është 64.0%”.
E muaji kur shumica e kosovarëve zgjedhin të martohen mbetet gushti, ndërsa më së paku dasma realizohen në qershor.
“Frekuenca e martesave ishte më shume e shprehur në muajin Gusht me 12.1% të rasteve të kurorëzuarave ndërsa muaji me më pak kurorëzime ishte muaji Qerhor me 6.3%”, theksohet në raport.
Por, pavarësisht se janë regjistruar më shumë se 18 mijë kurorëzime, krahasuar me vitet e kaluara, numri i martesave në vend po shkon duke u ulur. Për këtë po shprehin shqetësim edhe sociologët.
Sociologu Besim Gollopeni i ka thënë Gazetës Express se ka një trend negativ të numrit të kurorëzimeve në shoqërinë kosovare. Madje, ai thotë se një trendi i tillë negativ ka tendencë të vazhdojë edhe më tutje.
“Në shoqërinë kosovare në vitin 2002 janë realizuar 18280 kurorëzime (ASK), në vitin 2010 janë 18289 kurorëzime dhe në vitin 2017 sipas ASK-së gjithnjë, janë realizuar 17410 kurorëzime. Pra, kemi me një trend negativ të numrit të kurorëzimeve në shoqërinë kosovare. Një trendi i tillë negativ ka tendencë të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë Gollopeni.
Ndërsa sa i përket moshës mesatare kur të kosovarët kurorëzohen, ai ka thënë se ka pasur rritje të theksuar sidomos në dy dekadat e fundit. Deklaron se krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë, shoqëria kosovare ka një moshë të re të hyrjes në martesën e parë.
Gollopeni përmend edhe martesat e hershme të kosovarëve, ku thotë se sipas statistikave zyrtare në Kosovë çdo vit realizohen rreth 100 martesa të hershme. E shkaktarët kryesorë të këtyre martesave ai thotë se mbeten gjendja sociale dhe ekonomike.
“Martesat me moshë të re ndodhin kryesisht te gjinia femërore, në vise të thella rurale të vendit dhe te ato familje të varfra dhe me nivel të ulët të arsimimit dhe emancipimit. Pra, shkaktarët kryesor të hyrjes në martesë të hershme veçmas për gjininë femërore janë gjendja e rënd sociale dhe ekonomike, niveli i ulët i arsimimit dhe mungesa e emancipimit”, ka thënë Gollopeni për Gazetën Express.
Por, edhe pse numri i martesave po shkon duke u ulur me kalimin e viteve, shpenzimet e dasmave vetëm sa po rriten.
Sipas agjensioneve që merren me organizimin e dasmave, dasma më e lirë në Kosovë kushton 6 mijë euro, ndërsa më e shtrenjta arrin deri në 25 mijë.
Por, ata që më së shumti po ua shohin hairin dasmave po janë pronarët e restauranteve. Çdo natë në kontot e tyre derdhen me mijëra euro.
Se kosovarët shpenzojnë shumë për dasma, kjo vërehet edhe në çmimet e dasmave që kanë dhënë agjenci që merren me organizimin e tyre.
Sipas këtyre agjencioneve, mënytë e dasmave fillojnë prej 17 e deri në 70 euro, ndërsa torta e dasmës kushton prej 200 e deri në 1 mijë euro.