Një aksident me tre persona të plagosur rëndë ka ndodhur në orët e para të së dielës në aksin rrugor Milot-Laç.
Burime nga policia kanë bërë të ditur se dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur: shtetasi E.Ll., 27 vjeç, banues në Milot, drejtues i makinës “Suzuki me targë AA446CU, si dhe pasagjerja në këtë automjet, shtetasja J.Ll., 28 vjeçe. I plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i mjetit tjetër, shtetasi P.D., 60 vjeç, banues në Thumanë të Krujës.
Mësohet se tre personat e plagosur kanë marrë fillimisht ndihmë mjekësore në spitalin e Kurbinit dhe më pas janë nisur për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, në gjendje të rënduar shëndetësore.
Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë janë ende të paqarta, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.