Gjiri i Lalzit, një nga plazhet më të mëdha dhe të frekuentuara në zonën e Durrësit nga pushues ditorë, por dhe ata që zgjedhin të pushojnë këtu për një kohë më të gjatë.
Pavarësisht premtimeve nga pushteti lokal për të siguruar hapësira publike për qytetarët, edhe këtë vit vërehet mungesa e plazheve të alternuara mes privatit dhe publikut.
“Hapësirat duhet të jenë të ndara dhe qytetarët duhet të kenë pjesën e tyre. Gjithsecili ta dijë vendin ku mund të qëndrojë”, thotë një pushues.
“Plazhet publike këtu thuajse mungojnë fare”, shprehet një pushuese.
Në plazhin ku disa herë janë shënuar ngjarje të dhimbshme pasi qytetarë kanë humbur jetën duke u larë në det, nuk ka as roje plazhi. I vetmi funksion që kryejnë këto kulla sigurie, duket se është t’u shërbejnë si hije plazhistëve që pushojnë poshtë tyre.
“Unë pushoj këtu prej 10 ditësh dhe roje plazhi nuk kemi parë asnjëherë”, thotë një qytetar.
“Kullat i shohim gjithandej, por për fat të keq nuk ndodhet asnjë roje”, shprehet pushuesja.
Dhënia me qira e plazheve ndërkohë ka përmirësuar ndjeshëm higjienën. Sipërmarrësit kujdesen për pastrimin e tij gjatë gjithë kohës duke prodhuar një mjedis shumë komod.
Por, përtej pastërtisë së rërës, mungesa e elementeve të tjera të kujton se je në një zonë turistike shqiptare. Nuk ka as tualete publike, as dushe dhe as kabina zhveshjeje. Duket se këto konsiderohen ende luks për pushuesit shqiptarë.