Protestuesit e prangosur janë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë të cilët kanë qenë pjesëmarrës në tubimin e së shtunës. Policia konfirnon gjithashtu se 7 protestues të tjerë janë shpallur në kërkim edhe ata të identifikuar si persona që kanë qëlluar me mjete të forta ndaj Kryeministrisë.
Mbi të arrestuarit rëndojnë katër akuza, kundërshtim i policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e qetësisë publike dhe shkatërrim prone.
Blutë thonë se kanë prova që faktojnë se këta persona kanë kryer këto vepra penale. Janë pamjet filmike prova kryesore e policisë që ka çuar në identifikimin e personave që sulmuan Kryeministrinë ditën e protestës së opozitës. Pamjet vërtetojnë sipas policisë çarjen e kordonit të efektivëve dhe më pas thyerjen e xhamave si dhe instalacionit në hyrje të ndërtesës së qeverisë.
Në total në protestën e një dite më parë u lënduan 19 persona, mes të cilëve edhe efektivë policie. Pasojat e dhunës mbi godinën e Kryeministrisë janë akoma të dukshme. Punonjesit e bashkisë vazhdojnë të pastrojnë atë që ka mbetur pas sulmit. Ndërsa ka filluar puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara./Tv Klan/