Më 1 shtator do të nisë aksioni i madh kundër informalitetit, të cilin ministri i Financave Shkëlqim Cani e ka prezantuar konkretisht këtë të shtunë përpara medias. Ky aksion, sipas tij, ka në qendër biznesin e madh dhe do të shtrihet kudo.
Krahas Ministrisë së Financave do të jenë të përfshira dhe institucione të tjera. Cani tha se në hartimin e strategjisë së këtij aksioni ka pasur edhe konsultime me FMN dhe takime të shpeshta edhe me vetë biznesin.
Në Shqipëri, tha ministri Cani, ka aktualisht 100 mijë biznese aktive. Rreth 33% e biznesit është e pafiskalizuar. Niveli i informaliteti është tek 50%, vijoi ai.
“Ky aksion synon rritjen e të ardhurave që do ta ndihmojë qeverinë në disa drejtime. Qëllim final është ulja e nivelit të taksave dhe e borxhit publik. Do të krijojë mundësi edhe për rritjen e pagave dhe pensioneve”, theksoi Cani.