Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati gjatë vizitës së tij në Shkup u ka dërguar porosi të qartë autoriteteve të këtij vendi, kur deklaroi se forcimi i raporteve ndëretnike është busulla orientuese për stabilitetin demokratik të Maqedonisë dhe për përshpejtimin e procesit integrues.
“Pjesë e diskutimit dhe interesit edhe të trupës së ambasadorëve të Maqedonisë, ishte edhe pikëpamja e Shqipërisë për zhvillimet ne Maqedoni, raportet ndëretnike dhe mbi shkallën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Si një fqinjë që i duam vetëm të mirën Maqedonisë besojmë se një marrëdhënie edhe më e mirë ndëretnike do të ishte busulla orientuese për stabilitetin demokratike, prosperitetin ekonomik, për marrëdhënie ndër fqinjësore më të mira dhe për zhvillim të reformave në mënyrë të qëndrueshme që besojmë se do të lehtësonin rrugën e Maqedonisë për në BE dhe për në NATO”, ka thënë Bushati.
Diplomati shqiptar këtë deklaratë e bëri pas takimit trelateral që realizoi në Shkup me kolegët e tij Nikolla Popovski nga Maqedonia dhe Daniel Mitov nga Bullgaria, me ç’rast theksoi se Shqipëria nuk mbështet qëndrimet dhe zhvillimet që cenojnë të ardhmen euroatlantike të rajonit. Tre diplomatët shfrytëzuan këtë takim për të firmosur një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve mes vendeve që përfaqësojnë.
“Një kohë të gjatë nuk kemi pasur takime trelaterale mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Është mirë që këto takime trelaterale ti praktikojmë rregullisht. Me këtë rast, dua të theksoj, se prezenca e dy ministrave sot është sinjal i qartë se Shqipëria dhe Bullgaria janë të vendosura të na mbështesin në rrugën tonë drejt BE-së”, ka thënë ministër i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Popovski.
Në takim u diskutua edhe për problemin me refugjatët nga Lindja e Mesme. Ministri i Jashtëm bullgar, ftoi vendet e Europës të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë për t’u ballafaquar bashkërisht me këtë krizë.