Gjoba për ndotjen e ambientit, Bashkia e Tiranës përgatit listën me penalitete

Bashkia e Tiranës do të publikojë të martën një listë me gjoba e penalitete për të gjithë personat apo bizneset që ndotin mjedisin, zënë hapësirat urbane apo dëmtojnë objektet.

 

Kjo është bërë e ditur gjatë prezantimit të administratorit të Njësisë nr.10, Arian Hamiti nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

 

“Duke filluar nga nesër, Bashkia e Tiranës do të botojë një listë me sanksione për të gjithë ndotësit e qytetit. Do të ketë një sistem gjobash për individët dhe bizneset që ndotin, si dhe për të gjithë ata që urinojnë në vende publike apo që ndërtojnë pa leje”, deklaroi Veliaj.

 

Ai theksoi se do të marrë fund koha kur qytetarët paguajnë edhe për ata që dëmtojnë dhe vandalizojnë hapësirat publike të qytetit apo për rehabilitimin e zonës ku është ndërtuar pa leje.  Nëse dikush hedh plehra në rrugë, duhet ta paguajë ai faturën. Nëse dikush vandalizon objektet publike, artistike apo kulturore, si Monumenti i Pavarësisë, duhet të paguajë dëmin. Nëse dikush ndërton pa leje, do të paguajë prishjen e saj, por edhe rikthimin në gjendjen fillestare”, sqaroi Veliaj.

 

Ai tha se Bashkia e Tiranës do të jetë transparente duke komunikuar masat e gjobave. “Po kush hedh plehra në tokë, kush vandalizon objektet publike dhe kush zapton ose ndërton pa leje aty ku territori është publik, do ta paguajë 100% të kostos”, paralajmëroi Veliaj.

 

Një tjetër çështje e prekur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës ishte dhe aksioni për lirimin e hapësirave publike, që shumë shpejt do të pasojë në këtë njësi.

 

“E konsideroj sukses aksionin në Njësinë nr. 5. Liroi territor për qindra dhe mijëra banor, por shtoi me 6-herë të ardhurat ditore të Bashkisë”, deklaroi Veliaj.

 

Më tej, kryetari i Bashkisë vuri theksin në aksionin e paralajmëruar më 4 shtator për pastrimin e Tiranës.

 

“Do u drejtoj një letër të gjithë qytetarëve të Tiranës, ku do t’ju kërkoj të na bashkohen në këtë aksion. Do jetë detyra e çdo njësie që ta koordinojë aksionin  me administratën, me kontraktorin që ka përsipër pastrimin e zonës, me shkollat e institucionet e tjera publike”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Leave a Reply