Meta ktheu ligjin për ‘Vettingun në Polici”, reagon Lleshaj: Argumente jo ligjorë!

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, komentoi pak minuta me pare vendimin e presidentit Ilir Meta për të kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për vettingun në Policinë e Shtetit, duke thënë se argumentet e tij janë të gjetura, presidenciale, dhe jo ligjore. Ministri Lleshaj tha se është një frymë që çdo iniciativë e qeverisë duhet të kundërshtohet. Lleshaj shtoi se nga ligji i vjetër nuk është ndryshuar asgjë në thelbin e procesit të fundit. Ministri i Punëve të Brendshme tha se është hequr kufizimi kohor për kryerjen e vettingut për shkak të numrit të lartë të punonjësve që do të duhet të kalojnë këtë proces.

“Argumente presidencial shumë interesantë, por jo ligjorë. Presidenti ka kompetencë ta kthejë ligjin, ndërsa argumentet janë presidenciale. Shqetësimi kryesor është qeveria, ndërkohë që qeveria është autoriteti përgjegjës për ta realizuar vettingun. Një frymë që mbërrin në kufijtë e të paarsyeshmes, ku gjithçka që vjen nga qeveria është problem. Vetting do të duhej të kishte cdo organizëm i gjallë, në cdo institucion duhej të kishte vetting. Është një proces i përhershëm. Ku ka një strukturë një organizatë ajo duhet të pastrohet. Kjo është në frymën e gjithë procesit që po ndodh me reformën në drejtësi.

Nuk është hequr struktura e jashtme e vettingut, ajo merret nga fillimi në fund të procesit. Komisioni i jashtëm bën vettingun e majës së policisë së shtetit, gardës dhe SHCBA-së. Ky komision zgjerohet duke krijuar komisionin qendror që bën vettingun e nivelit të mesëm. Pjesa e jashtme plus pjesën që u shtua i shtohet edhe një kontigjent nga ata që vetohen dhe bën vettingun e gjithë strukturës.

Faza 1- Komisioni i jashtëm

Faza 2 – Shtohen përfaqësues nga Policia dhe Garda dhe SHCBA që kaluan vettingun nga Komisioni i Jashtëm

Faza 3 – Shtohet mbi 200 veta, dhe në çdo proces, Komisioni i Jashtëm është pjesë e strukturës.

Janë argumente të gjetura, sepse nuk ka ndryshuar asgjë në thelbin e vettingut”, tha Lleshaj.

“Ne kemi dyshime që mund të kemi probleme në policinë e shtetit, por jo kriminelë. Ftoj këdo ta mendojë qoftë edhe një moment pa policinë Shqipërinë”, shtoi ministri.

Ministri tha se nuk e priste këtë vendim të Presidentit Meta.

“Ligji aktual e byll vlefshmërinië e tij në mars 2020, ende nuk ka filluar procesi i dosjes së parë, por do të marrë kohën e vet se janë procese ligjore super të ndërlikuara. Nëse e hapim sot dhe aecim me ritmin e reformës në drejtësi, më tej ligji pushon vlefshmërinë dhe procesi stopohet. I kam propozuar kuvendit në mënyrë që ligjin ta zbatojmë, të heqë afatin kohor. Asnjë argument tjetër nuk ka lidhje, sepse janë të njëjtët njerëz”, theksoi ministri i Brendshëm.

Nga studio e “Repolitix”, ministri tha se beson se Parlamenti do të kalojë të njëjtin ligj pa reflektuar argumentet e Presidentit, pasi sipas tij, ligji ka qenë i plotë.

“Sigurisht që ky ndryshim ligjor është vullnet politik i një shumice politike, që ka gjetur miratimin e Parlamentit të Shqipërisë. besoj se ligji nuk do ta humbë miratimin e Kuvendit. Unë i kam hedhur një sy rezervave të argumenteve të presidentit, dhe nuk shoh ndonjë argument për të bërë ndryshim ligjor. Ne nuk kemi çuar një dokument të çalë tek presidenti, kemi çuar një dokument të plotë”, tha Lleshaj.

Në përfundim të kësaj tematike, ministri tha se e respekton presidentin, por nuk mban komunikime me të.

“Ministri i Brendshëm nuk mban komunikim të Brendshëm me Presidentin. Marrëdhënia është normale, unë e respektoj presidentin e Republikës”, tha ai. /raport.tv/

Leave a Reply