Bodo Weber, ekspert gjerman pranë Këshillit për Politika të Demokratizimit (Democratization Policy Council – DPC) thotë se formati i dialogut Kosovë – Serbi do të pësojë ndryshime para se të mundë të vazhdojë. Në fakt, ai këtë nuk e quan as “vazhdim”, por “rivendosje” të dialogut.
“Para së gjithash, problemi, pra edhe zgjidhja nuk është në ‘vazhdimin’ e dialogut, d.m.th. të negociatave për një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, në mënyrën se si janë udhëhequr në dy vjetët e kaluar – si një proces tërësisht i privatizuar nga dy presidentët dhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, secili me interesin specifik, privat, por bashkërisht duke e lëvizur dialogun drejt diçkaje që ishte përqeshje me kornizën fillestare dhe qëllimet përfundimtare”, thotë Weber, duke theksuar se një situatë e tillë në procesin e dialogut “nuk ishte ogur i mirë për gjendjen e demokracisë në Kosovë dhe në Serbi, por as për gjendjen e Bashkimit Evropian”.
Tendenca negative ai thotë se u ndërpre me ndërhyrjen e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe me Samitin e Berlinit, që u mbajt në prill të këtij viti.
“Mini-samiti i Berlinit, më 29 prill, ishte nisje e procesit që duhej të çonte drejt një rivendosjeje të të gjithë procesit negociues, duke nisur nga korniza e negocimit”, thotë Weber, në një bisedë për Kohën Ditore.
Ai, madje, thotë se ngecja në dialog nuk është ndikuar fort nga dorëheqja e kryeministrit Haradinaj dhe zgjedhjet e parakohshme që pritet të shpallen, por më shumë nga periudha paszgjedhore në BE.
“Në atë kuptim, nuk jam aq pesimist se zhvillimet e fundit në Kosovë – dorëheqja e kryeministrit Haradinaj dhe zgjedhjet e pritshme të parakohshme – nuk kanë ndonjë ndikim të madh. Për shkak se një rivendosje në një kuptim serioz mund të nisë vetëm në vjeshtën e vonë, pra kur pasardhësi i zonjës Mogherini, zotëri Borrell, të ketë marrë detyrën”, thotë Weber.
Ai thekson se “nuk është serioze” të flitet për arritjen e një marrëveshjeje finale gjatë vitit 2019. “Madje edhe në rrethanat ideale, nënshkrimi i një marrëveshjeje vërtet gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme, sigurisht se nuk është i mundur para vitit 2020”.