Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka cilësuar një precedent tejet të rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, atë që e quajti zaptim me dhunë të pushtetit vendor nga mazhoranca.
Në konferencën me gazetarët në selinë blu, Basha tha se kur mazhoranca sot shqyen dyert e bashkive, kush do ta pengojë popullin nesër të futet në të njëjtën mënyrë në Kryeministri.
Për kryedemokratin zgjidhja vjen vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri tranzitore pa Edi Ramën, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.
E megjithatë ai është i vetëdijshëm se ky proces kërkon dialog dhe që sipas tij është refuzuar nga Rama.
“Procesi i arritjes së një marrëveshje politike që ëhstë mënyra për ta zgjidhur këtë krizë është një proces që padyshim kërkon dialog.Në këtë dialog PD dhe opozita ua kanë bërë të qartë partnerëve perëndimore që janë të gatshëm të ndihmojnë dhe ka një palë që ka refuzuar këtë dialog para 30 qershorit dhe pas 30 qershorit duke mohuar praninë e kësaj krize, dhe ky është Edi Rama dhe kupola e tij e organizatës së rilindjes”.
Pyetje: Thirrjes së vazhdueshme të ndërkombëtareve i është bashkaur gjatë ditës së djeshme dhe zoti Meta që ju ka kërkuar të hyni në institucione. Si do ti përgjigjeni kësaj ftese të Presidentit? Meta ju ka ofruar dhe modelin, duke ju treguar opozitën serbe në përballje me Millosheviçin. Ju njihni dekretin e presidentit, por nga ana tjetër nuk merrni pjesë në zgjedhje.
Lulzim Basha: Presidenti po përpiqet në mënyrë aktive që të ndihmojë në zgjidhjen e krizës. Thelbi i qëndrimit të presidentit është i njëjtë me qëndrimin e PD-së dhe aleatëve tanë që ne kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhje.Qëndrimi ynë ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Edi Rama ka qenë i qartë, transparent dhe tashmë i faktuar në veçanti pas 30 qershorit. Gjithë zhvillimet politike të këtyre 3 viteve të fundit kanë faktuar gjithçka që kemi thënë ne. Shikoni përgjimet e Bildit dhe e kuptoni se gjithçka që thamë për zgjedhjet e 2017 është e vërtetë, gjithçka që thamë për provën gjenerale zgjedhjet e Dibrës është e vërtetë përfshirë edhe zhvillimet e 30 qershorit.
Zgjidhja vjen me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveri tranzitore pa Edi Ramën, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore. Procesi i arritjes së një marrëveshje politike që është mënyra për ta zgjidhur këtë krizë është një proces që padyshim kërkon dialog.Në këtë dialog PD dhe opozita ua kanë bërë të qartë partnerëve perëndimore që janë të gatshëm të kontribuojnë dhe ka një palë që ka refuzuar këtë dialog para 30 qershorit dhe pas 30 qershorit duke mohuar praninë e kësaj krize, dhe ky është Edi Rama dhe kupola e tij e organizatës së rilindjes.
Kjo që po ndodh është një zhvillim i rrezikshëm. Nga njëra anë po refuzon zgjidhjen e krizës përmes normave dhe parimeve europiane të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, pra jo përmes pazarit, kërkon pazar dhe jo zgjidhje përmes normave europiane.Standardi që Edi Rama po vendos është standardi i grabitjes me dhunë të pushtetit vendor. Ajo që keni parë këto ditë është grabitja me dhunë e pushtetit vendor.
Me 30 qershor nuk ka pasur proces zgjedhor.Çdo hap pas 10 qershorit është bërë në shpërdorim të detyrës dhe fondeve publike dhe përbën dëm ekonomik në më të paktën dhe prokuroria duhet të kishte nisur hetimet.Me 10 qershor zgjedhjet u anuluan nga i vetmi institucion që ka të drejtë të anulojë zgjedhjet, presidenti i republikës. Për sakohë nuk është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim është në fuqi. Çdo veprim qoftë me pasoja finamncuiare apo jo, përbën vepër penale dhe duhet të hetohet. Por ku nuk ka demokraci nuk ka as drejtësi.
Precedenti i kapjes me dhunë, shpërthimit të dyerve të bashkive me dhunë, i zaptimit me dhunë të pushtetit vendor po e fut vendin në një spirale të rrezikshme për sigurinë kombëtare, stabilitetin e vendit. Kjo është dhuna, dhunë banditeske, hajdutërie, dhunë shtetërore. Zgjidhja e kësaj krize do të vijë ose përmes normave dhe parimeve europiane ose vendi do të futet në një cikël jashtëzakonisht të rrezikshëm me precedentin që ka vendosur Edi Rama.
Nëse futet me dhunë në bashkinë që nuk e ka fituar se nuk ka pasur zgjedhje, kush do ta pengojë popullin të futet në të njëjtën mënyrë nesër në Kryeministri, apo Ministri, apo Drejtorinë e Rrugëve, Hipotekave etj?
Dhuna shtetërore është përshkallëzimi më i rrezikshëm në këto 6 vite dhe kapja me dhunë e pushtetit vendor është një precedent që hedh në erë çdo shtyllë të mbetur të bashkëjetës paqësore politike në vend.