Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka marrë pjesë në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE, i cili u zhvillua në Luksemburg. Gjatë fjalës së tij, ministri Bushati tha se vala e refugjatëve kërkon një përgjigje kolektive dhe instrument solidarizues për të akomoduar refugjatët.
“Vala refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe jugu i Mesdheut përben një fenomen tepër të ndjeshëm për ne, sepse sjell në mendje kujtimet e viteve ’90 kur filluan largimet masive në Ballkan pas rënies së regjimeve totalitare e me pas shpërnguljet nga luftrat në ish Jugosllavi. Vala e refugjateve si një krizë e pa precedentë që ka goditur Evropën përbëhet nga një sërë elementesh që vendosin në sprovë aftësitë e të gjithëve dhe që kërkon një përgjigje kolektive, instrumente solidarizues për të akomoduar refugjatët, luftuar rrjetet e trafikantëve dhe elementeve terroristë që mund të kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë”, është shprehur ministri Bushati.
Ministri Bushati dhe homologët e vendeve të tjera kandidate zhvilluan dhe një audiencë me Duken e Madh te Luksemburgut, Madhërinë Henry.