Kryeministri britanik Boris Johnson hodhi poshtë të hënën idetë për të thirrur në seancë parlamentin, ndërsa ligjvënësit ndodhen me pushime verore, lidhur me rrjedhjen në shtyp të dokumenteve qeveritare, që paralajmërojnë probleme të mëdha për vendin në rast të largimit nga BE-ja pa marrëveshje.
Dokumentet sekrete u publikuan nga gazeta “Sunday Times”. Problemet më serioze që pasqyrohen në to lidhen me ndërprerjet në furnizimin me ilaçe, mungesë të produkteve ushqimore si dhe ujit të freskët për shkak të ndërprerjes të mundshme të importit të kimikateve që trajtojnë ujin.
Megjithëse skenarët e zymtë të përshkruar në dokumentet që kanë rrjedhur prej qeverisë, janë diskutuar prej kohësh nga akademikët dhe ekonomistët, ato janë hedhur poshtë si përhapëse paniku nga përkrahësit e largimit të Britanisë nga BE-ja.
Zyra e kryeministrit Johnson tha se dosja e botuar ishte “e vjetër” dhe se Dhoma e Komuneve do të kthehej në seancë sipas planifikimit, më 3 shtator.
“Nuk pretendoj se nuk do të ketë pengesa gjatë rrugës”, tha zoti Johnson. “Do të ketë, por nëse të gjithë i kushtojmë vëmendje, nuk kam dyshim se mund të bëhemi gati”, shtoi ai.
Partia Laburiste në opozitë, e cila po përpiqet të vonojë Brexit-in e të krijojë një qeveri të unitetit kombëtar, vuri theksin tek dokumentet e publikuara si një tregues tjetër se dalja pa marrëveshje duhet të shmanget.
Zyrtari i lartë i partisë John McDonnell mbështeti kërkesën e më shumë se 100 ligjvënësve që nënshkruan një letër ku i kërkohej zotit Johnson të thërrasë para kohe parlamentin për t’i hapur rrugë debatit mbi krizën që ka përfshirë procesin Brexit./VOA/