Investimet e huaja direkte u rritën me 36 përqind në tremujorin e dytë të vitit, duke arritur në 198 milionë euro nga 145 milionë që ishin në të njëtën periudhë të vitit 2014.
Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ky është tremujori i dytë me radhë që investimet e kompanive të huaja në ekonominë shqiptare shënojnë rritje të fortë në rend dyshifror.
Sipas shifrave, në total si 6-mujor investimet e huaja këtë vit janë 31.5 përqind më të larta se gjysma e parë e vitit të kaluar. E shprehur në vlerë rritja është 115 milionë euro.
Në raportin analitik të bilancit të pagesave, Banka e Shqipërisë thotë se prurjet më të mëdha në formën e investimeve direkte në Shqipëri vijnë nga sektori i hidrokarbureve. Sipas të dhënave, në gjysmën e parë të vitit investimet në këtë sektor ishin rreth 226 milionë euro ose sa 47 përqind e totalit. Në vend të dytë vjen sektori bankar dhe ai i telekomunikacionit, që përfaqësojnë përkatësisht 10 dhe 3 përqind të flukseve hyrëse të investimeve që vijnë nga jashtë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për zhvillimet e sektorit të jashtëm të ekonomisë, tregojnë se tremujori i dytë nuk ka qenë pozitiv vetëm për investimet e huaja.
***
Sipas Bankës edhe dërgesat e emigrantëve shënuan rritje dyshifrore me 17.6 përqind krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar. Më konkretisht, për periudhën prill-qershor dërgesat e emigrantëve ishin 162.5 milionë euro nga 138.1 milionë që ishin një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se, të paktën për gjashtë muajt e parë të vitit dërgesat nuk janë goditur nga përshkallëzimi i krizës greke, edhe pse ajo e shënoi kulmin pas fundit të qershorit, kur Greqia mbylli bankat.
Në total si gjashtëmujor, të ardhurat që emigrantët kanë dërguar pranë familjeve të tyre ishin 305 milionë euro, ose rreth 48.5 milionë euro më shumë se gjysma e parë e vitit të kaluar.
Pas disa vitesh rënie, trendi i dërgesave të emigrantëve u rikthye në territor pozitiv gjysmën e dytë të vitit të kaluar, i ndikuar ndoshta edhe nga përmirësimi i situatës ekonomikë në Eurozonë.