Mosparaqitja e kryeministrit Isa Mustafa për të raportuar para deputetëve për katër marrëveshjet e arritura me Serbinë, ka shtyrë deputetët e opozitës që të bllokojnë punimet e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e seancës plenare.
Reagimi i deputetëve opozitarë erdhi kur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, lexoi letrën që Mustafa ua kishte dërguar deputetëve ku kishte kërkuar që raportimi të shtyhet për 22 shtator, kur në Kosovë do të jenë edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili të enjten ndodhej në Britaninë e Madhe. Përveç Thaçit, në seancën e së enjtes nuk ishte as kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili në kohën e seancës po mbante një ligjëratë në Universitetin Publik të Gjilanit.
Përfaqësuesit e opozitës e quajtën kryeministrin Mustafa frikacak, ndërsa thanë se nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave pa raportuar Mustafa për marrëveshjet me Serbinë.
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, tha: “Tema e radhës ka qenë raportimi nga kryeministri Mustafa për marrëveshjet e nënshkruara. Kuptohet, ai për një arsye ose një tjetër e ka vlerësuar mos të vijë. Ajo çka është me rëndësi, ai është në Kuvend. Ne e pamë në mëngjes atë dhe kolegë të tjerë. Kjo nënkupton që diçka fshihet dhe besoj që po i vjen erë kësaj pune”.
Ndërsa Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të VV-së, deklaroi: “Vetë Isa Mustafa ka kërkuar debat për Zajednicën, kurse tani po fshihet pas Hashim Thaçit, i cili nuk ndodhet këtu, por ndodhet në Londër. Unë e di që logjikisht dhe me hierarki zv/kryeministri nuk bën dot pa kryeministrin, por jo anasjellas, kryeministri mos të bëjë dot pa zëvendësin e tij. Si grupe parlamentare opozitare, do ta pamundësojmë vazhdimin e seancës nëse kryeministri nuk vjen për t’u ballafaquar për marrëveshjet me Serbinë”.
Pas këtyre deklaratave, kryesuesi i seancës kërkoi pauzë prej 10 minutash, me shpresë se deputetët e opozitës do të lejonin mbajtjen e seancës, por ata nuk u tërhoqën nga foltorja.