Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqjen.
Lajmi mësohet nga burimet diplomatike evropiane në samitin e BE-së, ku vendet anëtare nuk kanë arritur një marrëveshje për fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, shkruan agjencia informative “ANSA”.
Paraprakisht, në mungesë të një prononcimi nga Zaev, mendohet se sikurse u deklarua një ditë më parë prej tij, arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me gjasat pothuaj të pakthyeshme të moshapjes së bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, verdikti mbi negociatat do të komunikohet zyrtarisht ditën e sotme pas mbledhjes së krerëve të qeverive në Këshillin Evropian.
Tri vende anëtare të BE-së: Franca, Holanda dhe Danimarka, kanë mbajtur një qendrim kundërshtues ndaj avancimit të rrugëtimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht tentativave të Gjermanisë, presidenti francez, Emanuel Macron mbetet refraktar në mospëlqimin për nisjen e bisedimeve me dy vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor. /Lapsi.al/