Qeveria e Kosovës reagoi pas bllokimit të seancës plenare të së martës nga opozita, duke theksuar se “askush nuk ka të drejtë të pamundësojë punën e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
“Përkundër vullnetit të Kryeministrit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që të raportojnë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve, sot, deputetët e opozitës, në kundërshtim me mandatin e tyre, Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, me sjelljen e tyre, e bënë të pamundur raportimin. Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se Kuvendi duhet të krijojë kushte për raportim, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve, si dhe vlerëson se askush nuk ka të drejtë të pamundësojë punën e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës”, lexohet në deklaratën për shtyp të qeverisë kosovare.
“Qeveria dënon aktet e dhunës dhe veprimet e sotme të deputetëve të opozitës. Sjellja e sotme nuk është aspak në dobi të qytetarëve dhe të vendit tonë. Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh gatishmërinë që kurdo që Kuvendi të arrijë të krijojë kushte të punës, të raportojnë për marrëveshjet e arritura. Qeveria e Republikës së Kosovës garanton se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen e plotë të vendeve mike, të BE-së dhe të SHBA-ve në këtë proces, si dhe, bashkë me këta partnerë, vlerëson se ato do t’u hapin rrugë integrimeve sa më të shpejta euroatlantike të vendit”, shtohet në deklaratën e qeverisë.